E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pas 28 qershorit, riorganizim i plotë i policisë

Autori i Lajmit: Suela Topi
Socialistët premtojnë të rrisin sigurinë e vendit pas zgjedhjeve të 28 qershorit me anë të një ndryshimi radikal të organizimit të forcave policore. Nuk do të ketë më shumë polici, por vetëm një strukturë, Policia e shtetit shqiptar, tha kreu i selisë rozë, Edi Rama gjatë një takimi me policët e liruar nga detyra. Ai premtoi se PS me ardhjen në pushtet do të ndërtojë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare që do të jetë përgjegjëse për vlerësimin e faktorëve të rrezikut që i kanosen sigurisë dhe do të planifikojë politikat e integruara të ndërhyrjeve sipas rasteve. I rëndësishëm, tha Rama do të jetë rritja e dinjitetit të policëve të thjeshtë, që pas 28 qershorit do të trajtohen sipas meritës dhe jo në bazë të bindjeve politike.
Siguria
Rama në takimin me ish- punonjës të policisë ka prezantuar para tyre kapitullin e Programit të PS-së për këtë sektor. Gjatë fjalës së tij, Rama u përqendrua në sigurinë kombëtare, duke sqaruar së PS në qeverisje do të krijojë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare. “Ne duam dhe do të ndërtojmë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare, e cila do të jetë përgjegjëse për përmirësimin e faktorëve të rrezikut që i kanosen sigurisë dhe do të planifikojë politikat e integruara të ndërhyrjes sipas rastit. Kjo strukturë do të hartojë politikat për rendin dhe sigurinë publike, për shërbimin e emergjencave civile, për sigurimin dhe qarkullimin e informacionit të klasifikuar dhe për mbrojtjen e integritetit territorial”, - tha ai. Sipas kreut të selisë rozë, dinjiteti dhe figura e punonjësit të policisë duhet të ringrihet. Çdo punonjës policie sipas Ramës, duhet të përfaqësojë denjësisht shtetin, nuk mund të vazhdohet me diskreditimin e figurës së punonjësit të policisë, duke bërë që sa herë të ndërrohet pushteti, të militanizohet sipas ngjyrave të tij, kjo strukturë shumë e rëndësishme për jetesën në siguri të qytetarëve. “Duke e kthyer policin, më të thjeshtin, në simbol të shtetit dhe duke mos toleruar më që të jetë karikatura e pushtetit”, - tha ai. Rama shtoi se shtetit shqiptar i duhet vetëm një polici, dhe jo shumë polici si strukturat aktuale, ku mund të përmenden polici pyjore, elektrike etj. Shumë struktura të titulluara polici krijojnë konfuzion dhe mbivendosje, u shpreh Rama duke dhënë premtimin se pas 28 qershorit do ekzistojë vetëm një polici ajo e shtetit shqiptar. “Më lejoni të vij tek pika që unë mendoj se është edhe thembra e Akilit. Aty ku ne do të godasim qysh në fillim. Nuk mund më të shkojmë përpara, duke pasur 10 polici të tjera krahas policisë së shtetit. Paqartësi në përgjegjësi, paqartësi në kufijtë e përgjegjësive nga njëra tek tjetra, të cilat krijojnë alibi nga më të çuditshmet dhe janë shtrati më i infektuar i korrupsionit, i mungesës së efektshmërisë së shtetit në raport me rendin e me sigurinë dhe i militantizimit të shtetit në funksion të partisë në pushtet”, - tha ai. Kryesocialisti theksoi se nuk do ketë më 10 polici, një polici e veshur me gri, një polici e veshur me jeshile, një polici e veshur me bojëqielli, një tjetër me të verdhë, njerëz të punësuar me teserë partie që shpërndahen nëpër territor për të nxjerrë bukën e gojës, ndërkohë që territori i Shqipërisë është tërësisht jashtë kontrollit në aspektin e pronës publike, në aspektin e pronës private, në aspektin e sigurisë publike dhe private që ka ndërkohë një kontroll që lë shumë për të dëshiruar. “Ajo që ne do të bëjmë është : Një polici, Policia e Shtetit”, - tha ai. Rama premtoi se edhe policia e shtetit shqiptar do të ecë në një rrugë të re me ardhjen në pushtet të socialistëve, me më shumë dinjitet e më shumë siguri për shtetasit shqiptarë.

Ky lajm është publikuar: 07/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›