E Shtunë, 31 Tetor 2026

CISG pjesë e paketës së qeverisë, për përmirësimin e klimës së biznesit

Miratimi i Konventës së Kombeve të Bashkuara për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (CISG), nga Kuvendi, është pjesë e paketës të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit, zhvillimin e tregtisë dhe thithjen e investitorëve të huaj. Bashkim Sykja, Drejtor i Drejtorisë së Nxitjes së Biznesit, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, gjatë një konference për shtyp të organizuar për prezantimin e konventës CISG, theksoi se Shqipëria është përfshirë në një proces të thellë reformash legjislative, për lehtësimin e procedurave në zhvillimin e aktivitetit të biznesit jo vetëm në tregun kombëtar, por edhe në tregtinë ndërkombëtare të mallrave.
  Sipas tij, vendi ynë është në procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërkohë që është palë e marrëveshjes me vendet e CEFTA-s dhe qeveria është e vendosur të miratojë praktikat më të mira për ofrimin e një klime të duhur për biznesin sipas standardeve bashkëkohore. Duke u ndalur në rëndësinë e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (CISG), Sykja tha se vënia në zbatim e kësaj konvente do të rrisë standardet ligjore të tregtisë së mallrave mes vendeve anëtare. CISG është konventa që shërben për të kapërcyer vështirësitë ligjore dhe për të hedhur themelet për përmirësimin e shitjes ndërkombëtare të mallrave, mes shumë shteteve në mbarë botën që kanë miratuar këtë Konventë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›