E Shtunë, 31 Tetor 2026

COSMOTE feston 10-vjetorin në Europën Juglindore



Kompania e telefonisë greke, COSMOTE, operatori celular me praninë më të gjerë në Europën Juglindore, festoi më 6 prill 2008 10-vjetorin e veprimtarisë komerciale. Kjo kompani, anëtare e OTE-Group, filloi veprimtarinë në Greqi në prill 1998, pesë vjet pas konkurrentëve. Qëllimi ishte ta bënte telefoninë celulare të arritshme për të gjithë. Sipas nëndrejtorit të Përgjithshëm të Grupit COSMOTE, Michael Tsamaz, “COSMOTE, 10 vjet pas fillimit të veprimtarisë komerciale fitoi besimin e 15.5 milionë abonentëve, duke u shndërruar në një grup shumëkombësh me praninë më dinamike në një treg prej mbi 46 milionë njerëzish në Evropën juglindore”. COSMOTE e filloi veprimtarinë në 1998 me 550 stacione bazë. Në vitin 2000 arriti mbulim thuajse 100 për qind të popullsisë dhe ishte kompania e parë që mbuloi me sinjal hapësirën detare të Greqisë. Gjatë këtyre 10 viteve, në rrjetin COSMOTE janë kryer me sukses 83.5 miliardë telefonata, 82 miliardë minuta kohë bisede dhe 50 miliardë SMS. COSMOTE është pioniere dhe novatore në tregun grek, pasi është ndër të parat kompani në Evropë që instaloi rrjetin GPRS në mbarë vendin dhe ofroi shërbime “broadband HSDPA”. Në epokën e konvergjencës në telekomunikacion, COSMOTE hodhi në treg, para konkurrentëve, paketat që ndërthurin ADSL me shërbimet celulare. Duke u mbështetur në ekspertizën dhe të rejat teknologjike të COSMOTE, degët e saj në Europën juglindore, në sajë të cilësisë e lehtësisë në komunikim, kanë fituar treg dhe kanë përmirësuar rezultatet financiare, pavarësisht konkurrencës përherë në rritje në rajon.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›