Shqiptarët e Greqisë, sa të pasur janë realisht
Emigrantët shqiptarë, që punojnë e jetojnë në Greqi, llogaritet të kenë depozituar në bankat e shtetit helen rreth 30 miliardë euro, edhe pse mediat e këtij vendi flasin për vetëm 2 të tillë. Shifrën e kanë bërë të ditur mediat e shkruara greke, duke iu referuar të dhënave të marra nga bankat tregtare të këtij vendi. Megjithatë, edhe shuma “zyrtare” prej dy miliardë eurosh është e barabartë me rreth 30 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Në rast se këto para do të ishin transferuar në bankat shqiptare, atëherë ekonomia e vendit do të kishte më shumë burime monetare në dispozicion për të financuar investime të ndryshme. Në fakt, për vite me radhë dërgesat e emigrantëve kanë financuar deficitin e lartë tregtar të vendit tonë, duke mbajtur të pacenuar aftësinë paguese të ekonomisë sonë. Në rast se vetëm kursimet e emigrantëve shqiptarë në Greqi do të injektoheshin në ekonominë tonë, atëherë Produkti i Brendshëm Bruto i vendit do të rritej me 30 për qind, çka do të thotë një rritje e ndjeshme edhe e të ardhurave për frymë në vend. Po kështu, kjo shifër është 10 herë më e lartë se të gjitha investimet e huaja të drejtpërdrejta në vendin tonë.
8 Prill 2008