Promovohet me 3 spote turizmi shqiptar në CNN
“Shqipëria një dashuri e re mesdhetare” titullohet spoti më i ri televiziv i Shqipërisë, i cili promovon turizmin shqiptar në botë. Spoti do të transmetohet në kanalin televiziv CNN që prej ditës së sotme dhe do të zgjasë tri javë. Promovimi i Shqipërisë në kanalin CNN vjen me anën e tre spoteve, të cilat sipas ministrit të Turizmit, Pango, “kanë kushtuar 300 mijë euro”. Ndërsa pritet që vendet turistike më të bukura të Shqipërisë vitin tjetër do të transmetohen edhe në kanale të tjera ndërkombëtare. Sipas deklaratës së MTKRS-së, spoti do të transmetohet 131 herë në kanalin CNN.
Spoti i parë paraqet një familje që udhëton nëpër atraksionet kulturore dhe plazhet e vendit tonë ku mamaja dhe vajza e vogël shihen nga sytë e babait teksa shijojnë pushimet e tyre në Shqipëri. Spoti i dytë, prej 30 sekondash, paraqet një çift të ri të dashuruar. Nga këndvështrimi i djalit shihet një vajzë e re, e bukur, që magjepset dhe intrigohet nga bukuritë e Shqipërisë. Spoti i tretë, prej 30 sekondash, e sheh Shqipërinë nga këndvështrimi i një të riu që gjatë pushimeve të tij, përveç tërheqjeve kulturore, shijon edhe aktivitete sportive. Ndryshe nga disa vende të tjera, për vendin tonë kjo është eksperienca e parë që promovon turizmin e saj në botë.
8 Prill 2008