E Hënë, 2 Nëntor 2026

Cako: Tre muaj pas zgjedhjeve do thërrasim referendumin

26/02/2005  Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, shqiptarët do t'u drejtohen dhe një herë kutive të votimit, për të shprehur qëndrimin mbi hapjen e dosjeve për kandidatët për deputet. Iniciatorët e projektligjit për largimin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të fshehtë nga administrata publike dhe shpalljen e deputetëve që spiunonin gjatë miqtë e tyre në kohën e diktaturës, thotë se do të kërkojnë një referendum mbarë popullor për këtë çështje. Rrëzmi në parlament i projektligjit ka shkaktuar përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, të cilat akuzojnë njëra-tjetrën për konflikt interesash në këtë projektligj. Deputeti i PBK, dhe një nga iniciatorët e këtij projektligji, Alfred Cako, në një prononcim për "Metropol" ka akuzuar krerët e mazhorancës si të konfliktuar dhe ka deklaruar se do të kërkojë referendum për miratimin e tij. Nga ana tyre, socialistët deklarojnë se shumica e deputetëve të opozitës që kanë votuar për miratimin e këtij projektligji janë të implikuar me ish-shërbimet sekrete, por që kanë zhdukur dosjet në kohën që SHIK drejtohej nga kryetari Bashkim Gazidede.

Opozita

Si përgjegjësin kryesor për rrëzimin e projektligjit, Alfred Cako ka akuzuar kryetarin e Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Sipas deputetit të PBK-së, deputetët socialistë ditën e enjte u vunë nën urdhrat e Ruçit, i cili e shfrytëzoi rrëzimin e këtij projektligji për të mbuluar të shkuarën e tij si ish-bashkëpunëtor i sigurimit. "Ajo që dua të theksoj është fakti i kundërshtisë të interesave të publikut, nga ata parlamentarë që në mënyrë politike votuan, duke e kthyer parlamentin në një trust të lulelakrës, ku Arturo Ui, dje ishte Gramoz Ruçi, i cili i detyroi deputetët e krahut të vet të ngrinin duart për të rrëzuar projektligjin. Dua të përgëzoj atë grup deputetësh të krahut të majtë, që nuk u rreshtua nën urdhrin politik të kryespiunit Gramoz Ruçi", tha Cako. Nga ana tjetër, deputeti i PBK-së, akuzon dhe nënkryetaren e parlamentit, Makbule Çeço, si të implikuar me këtë ligj për shkak të së kaluarës të bashkëshortit të saj, që, sipas Cakos, ka qenë oficer i sigurimit të shtetit, si dhe kryeparlamentarin Pëllumbi për shkelje të rregullores. "Pëllumbi duhej ta kishte verifikuar këtë fakt për të ndërprerë seancën dhe për të kërkuar zbatimin e procedurave normale për largimin e Çeços si relatore. Gjithashtu, nga ana e Pëllumbit kishte shumë shkelje në mënyrën e proçedimit, duke futur në seancë njerëz të tjerë pas votimit, të cilët u thirrën nga PS-ja", tha Cako.

Mazhoranca

Një prej deputetëve që kanë votuar kundër miratimit të ligjit, Erion Braçe, thotë se votat për miratimin e këtij projektligji, janë dhënë nga ish-spiunët e policisë sekrete që tashmë qëndrojnë nën hijen e opozitës. "Nuk mund të bashkoja votën time me votat e spiunëve prandaj votova kundër projekligjit për largimin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të fshehtë nga administrata e lartë shtetërore. Spiunët do të bëjnë festë, sepse ne respektojmë konvetën e të drejtave dhe të lirive të njeriut dhe Kushtetutën shqiptare. Në Kuvend votuan pro spiunët pasivë", tha Braçe. Nga ana tjetër, ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, tha një ditë më parë në parlament se dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit ishin zhdukur gjatë kohës kur në krye të SHIK-ut ka qenë Bashkim Gazidede. Sipas Gjinushit, këtë informacion ia ka dhënë ish-kryetari i Komisionit të Verifikimit të Figurave, i ndieri, Nazif Bezhani. "Përgjigjja që më është dhënë nga Nazif Bezhani, në atë kohë, ka qenë se dosjet për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit janë zhdukur gjatë kohës kur në krye të SHIK-ut ka qenë Bashkim Gazidede. Kanë mbetur vetëm disa dosje, të cilat ishin hapur dhe ishin mbyllur sërish. Si e tillë kjo çështje është e tejkaluar tashmë", tha Gjinushi.

Sali Shehu

Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Shehu, tha dje se votimi kundër projektligjit për ish- bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit prej socialistëve, ka të bëjë me lidhjet morale dhe direkte që maxhoranca ka me ish-policinë sekrete. "Votimi kundër i socialistëve në parlament ka dy anë të medaljes. E para është lidhja morale dhe organike që kanë vetë deputetët e PS-së me ish-sigurimin e shtetit. Pra, është nostalgjija për atë kohë si dhe e kaluara e disa prej deputetëve të mazhorancës. Ana e dytë e medaljes ka të bëjë me ardhjen në pushtet me anë të kallashnikovëve të vitit 1997. Dihet që shumë prej ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit ishin dhe ideatorët e trazirave të atij viti. Miratimi i këtij projektligji do të pengonte kandidimin e oficerëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit në zgjedhjet e ardhshme, dhe maxhoranca socialiste i detyrohet shumë këtyre personave", tha Shehu. Shehu shton se maxhoranca socialiste në shumicën e rasteve i ka besuar drejtimin e strukturave të saj bashkëpunëtorëve të sigurimit.

Nard Ndoka

Kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka, tha dje se votimi kundër prej maxhorancës socialiste të ligjit tregoi qartë dhe një herë lidhjet e parlamentarëve shqiptarë me ish-sigurimin e shtetit. "U votua ose jo ky ligj, kjo pak rëndësi ka, rëndësi ka që opinioni publik e mori vesh se kush del në mbrojtje të ish-sigurimsave. Ne hartuam një projektligj që t'i jepte të drejtën elektoratit të mësonte mbi të shkuarën dhe lidhjet e atyre që i kërkojnë votën me ish-sigurimin e shtetit. Kjo u bë me mendimin se elektorati ka të drejtë të dijë se kush do i mbrojë nesër interesat e tyre në parlament. Gjithsesi, iniciativën tonë do ta vazhdojmë dhe më tej, por mendoj se edhe me kaq iniciativa jonë ia arriti qëllimit. Besoj se populli e kuptoi se kush janë sigurimsat e atëhershëm sot në pushtet". Kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka, është dhe një nga iniciatorët e ligjit për hapjen e dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit.

Makbule Çeço

Nënkryetarja e parlamentit, Makbule Çeço, tha dje se projektligji i sjellë në parlament për bashkëpunëtorët e ish-sigurimit tenton të risjellë në skenë ligjin e vitit 1995 dhe si i tillë është në kundërshtim me konventat e të drejtave të njeriut dhe me Kushtetutën e Shqipërisë. "Unë e kam shprehur dhe më parë qëndrimin tim për këtë çështje. E para, ky projektligj nuk duhet ngatërruar me hapjen e dosjeve. Unë jam e mendimit se dosjet duhet të hapen për të gjithë shqiptarët, ndërsa projektligji në fjalë tenton të rikthente edhe një herë ligjin e vitit 1995, i cili u anulua më pas në vitin 2002. Nga ana tjetër, e kam thënë dhe më parë që, projektligji i propozuar është në kundërshtim me Konventat e të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë", tha Çeço. Nënkryetarja e parlamentit e ka kundërshtuar projektligjin që në kohën kur ky i fundit u çua për shyqyrtim në Komisionin e Ligjeve, ndërkohë që në parlamentin shqiptar ajo ishte dhe relatorja e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›