E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kritikat e BE fusin në sherr partitë

26/02/2005  PS-PD fajësojnë njëra-tjetrën për vonesat në reformat zgjedhore, të vegjlit kundërshtojnë dy të mëdhenjtë

Socialistët shpërndajnë fajin për negociatat tek e gjithë politika

Të gjitha partitë politike në Shqipëri flasin për Integrimin e vendit në BE, por duket se asnjë nuk i ka marrë seriozisht detyrimet që duhet të realizohen për të përmbushur porcesin integrues. Përfundimi i raundit të 9-të të negociatave me përfaqësuesit e Komisionit Evropian dy ditë më parë ka rezultuar me kritika të ashpra për të gjithë spektrin politik shqiptar për mungesë të vullnetit për të plotësuar standardet e kërkuara nga BE-ja. Një ditë pas negociatave, partitë politike kanë lëshuar akuza kundrejt njëra-tjetrës, si shkaktare për bllokimin e reformës në sistemin zgjedhor. Madje, nga deklaratat nuk arrihet në përfundimin se kush e ka fajin. Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën qeverisëse si shkelëse të aspiratës së shqiptarëve për integrim, pasi PS-ja karakterizohet nga mungesa e vullnetit për të zhvilluar zgjedhje të lira. Sipas PD-së, "e kuptojmë shqetësimin evropian dhe e quajmë shumë serioze deklaratën e zotit Meyer, përfaqësues i presidencës së radhës, i cili tha se Bashkimi Evropian është i zhgënjyer nga mënyra se si është vepruar pas vizitës së Nanos në Bruksel, pra nga shpërfillja totale që i janë bërë nga qeveria shqiptare të të gjitha porosive dhe mesazheve që u dhanë nga BE-ja". Në të kundërt me këtë PS ka theksuar se kritikat dhe përgjegjësia është adresuar tek i gjithë spektrit politik shqiptar dhe jo vetëm drejt mazhorancës qeverisëse. Partitë e vogla kanë dhënë një tjetër argument. PS-ja mesazhin e BE-së e ka konsideruar se një mesazh që nuk ishte vetëm për mazhorancën qeverrisëse,, por për të gjithë politikën shqiptare. Këtë deklaratë e ka bërë dje zëdhënësi politik i kësaj partie, Gjergji Koja. Sipas tij, PS-ja ka shprehur të gjithë vullnetin politikë për të mbyllur reformën zgjedhore, çështje kjo e kritikuar nga BE-ja për sa i përket hartës zgjedhore të zonave elektorale".

Të vegjlit

Në reagimet e tyre, partitë e vogla nuk kanë pasur ngurrim për të kritikuar të dy palët. Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar dy forcat kryesore të politikës për bllokim të reformave, sidomos asaj zgjedhore. Përfaqësues të LSI-së kanë sulmuar të dy forcat kryesore në vend si bllokuese të reformave integruese. Duke shprehur shqetësimin për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, LSI-ja e ka cilësuar që tani të monopolizuar këtë proces nga PS-ja dhe PD-ja si dhe paaftësinë e qeverisë për të përmbushuar detyrat e ngarkuara nga BE-ja. Ndërsa Skënder Gjinushi është shprehur se vetëm kur reforma zgjedhor të shtrohet për diskutim nga ekspertët do të arrihet në standardet e kërkuara.

Gjergji Koja

Duhet një vullnet politik nga të gjitha forcat dhe nga të gjithë subjektet e interesuara në procesin e integrimit. PS-ja ka pjesën e vet, PD-ja ka pjesën e vet dhe gjithashtu të gjitha forcat e tjera politike. Reforma zgjedhore i plotëson standardet kur ekziston përgjegjshmëria politike e klasës politike shqiptare. Kjo është çështje mentaliteti.

Skënder Gjinushi

Projekti për zonat elektorale t'i sillet partive në Kuvend dhe të jetë ky institucion, i cili do të miratojë se cila do të jetë harta elektorale në vend. Kjo duhet të ishte bërë kohë më parë dhe duhet të ishte punuar me grup ekspertësh, duke lënë politikën sa më larg çështjeve të procesit zgjedhor. Reforma do të qe miratuar tetë muaj më parë

Pëllumb Xhufi

LSI-ja e konsideron si të patolerueshme dhe të pafalshme që, pesë vjet pas përfshirjes së vendit në procesin e Stabilizim-Asociimit, klasa politike shqiptare, në mazhorancë apo opozitë, kritikohet ashpër për vokacion dhe vullnet të munguar politik në drejtim të reformave dhe të përmbushjes së standardeve që kërkon për anëtarësimi në BE

Besnik Mustafaj

Ne konsiderojmë se shkelja e aspiratave të Shqipërisë nga ana e qeverisë shqiptare ka arritur në një pikë shumë të rëndë me mungesën e vullnetit për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të drejta në Shqipëri të standardeve ndërkombëtare, siç i konsideroi Priebe në emër të Komisionit Evropian dhe Meyer, në emër të Presidencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›