E Diel, 1 Nëntor 2026

Caktohen 5 gjyqtarët e dosjes “Basha”

 

Trazhgim Sokolaj

Gjykata e Lartë do të zhvillojë sot shortin elektronik që do të përcaktojë pesë anëtarët e trupit gjykues, që do të shqyrtojë dosjen penale kundër ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha.Bashkë me përcaktimin e pesë anëtarëve që do të marrin pjesë në trupën gjykuese të ministrit dhe një zyrtari të Ministrisë së Transporteve, shorti i sotëm do të caktojë edhe datën kur do të fillojë procesi gjyqësor për dosjen “Durrës-Kukës”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave mësohet se procesi gjyqësor mund të fillojë vitin e ardhshëm, për t’i lënë kohë anëtarëve të trupit gjykues që të njihen me materialet dhe provat e grumbulluara në dosje gjatë hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Përgjithshme. Megjithatë data e saktë e procesit pritet të përcaktohet vetëm pas shortit elektronik, që do të përzgjedhë emrat e pesëshes gjykuese dhe kohën kur do të hapet procesi. Dosja penale “Durrës-Kukës” në të cilën Lulzim Basha akuzohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me Andi Tomën dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, u dorëzua në Gjykatën e Lartë të premten rreth orës 16:05. Prokuroria e Përgjithshme i dha fund hetimeve për këtë çështje, duke pushuar akuzën ndaj Armand Telitit e Lejla Saraçit dhe duke marrë të pandehur ministrin Basha për veprimet e kryera prej tij në kohën që drejtonte Ministrinë e Transporteve.
Gjyqi në tri gjykata   
Në kohën që Gjykata e Lartë hedh shortin për caktimin e trupës gjykuese dhe kohën e fillimit të procesit, dy padi të tjera që kanë lidhje me akuzat e ngritura ndaj Lulzim Bashës, janë ende të pa shqyrtuara në Gjykatën e Tiranës dhe në Gjykatën e Apelit. Sipas intervalit të zakonshëm të kohës që një dosje kërkon në Gjykatën e Lartë për kalimin nga shorti në gjykim, duket se derisa të fillojë procesi aty, kjo do të jetë kohë e mjaftueshme që dy gjykatat e tjera të shprehen. Në Gjykatën e Tiranës ndodhet një padi e Lulzim Bashës dhe avokatit të tij, që kanë kërkuar pavlefshmëri absolute të veprimeve të Prokurorisë, konkretisht shfuqizim të aktit të ngritjes së akuzës ndaj ministrit dhe thirrjes së tij si i pandehur në Prokurori. Ndërkohë në Gjykatën e Apelit është depozituar një kërkesë e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila ndërpreu hetimet e dosjes “Durrës-Kukës”, duke vendosur se çdo provë apo veprim i kryer pas datës 6 nëntor 2008 nuk ka vlerë ligjore. Të dy çështjet që ndodhen në gjykatat më të ulëta, kanë ndikimin e tyre në procesin që pritet të fillojë në Gjykatën e Lartë pasi kanë të bëjnë me vlefshmërinë ligjore të veprimeve të kryera nga Prokuroria në adresë të ministrit Basha, i cili konsiderohet si i pandehuri kryesor në këtë dosje.
Akuzat për Bashën
Bazat kryesore të akuzave që janë ngritur ndaj Lulzim Bashës, mbështeten në faktet e gjetura prej Prokurorisë gjatë procedurës së përzgjedhjes së firmës supervizore të punimeve në segmentin Rrëshen-Kalimash, përzgjedhjes së firmës që kryen punimet “Bechtel-Enka”, përgatitjes së katër projektvendimeve të Qeverisë për këtë çështje në kundërshtim me ligjin dhe financimit të shpenzimeve për elementët e përdorur në ndërtimin e rrugës, duke dhënë mbi dyfishin e vlerës së çmimeve për të cilat artikujt në fjalë shiten në treg. Në këtë mënyrë, sipas akt-ekspertimit të administruar në dosje më 29 shtator 2008, dëmi i shkaktuar shtetit nga procedurat e ndjekura është 232 milionë euro, ndërkohë që si element fajësie ajo është ndarë në dy pjesë, duke fajësuar Bashën për një dëm prej 115 milionë eurosh në buxhetin e shtetit.

Apeli vendos këtë javë për afatin e hetimeve të dosjes “Durrës-Kukës”

TIRANE – Gjykata e Apelit në Tiranë do të shqyrtojë gjatë kësaj jave padinë e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme për dosjen “Basha”. Organi i akuzës bëri ankim në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila i kufizoi hetimet e çështjes deri më 6 nëntor dhe shpalli të pavlefshme veprimet e kryera pas kësaj date. Për shkak se Prokuroria nuk ishte dakord me këtë vendim, por edhe për faktin se konkludimi me dosjen dhe ngritja e akuzës ndaj Bashës janë veprime që u kryen pas datës 6 nëntor 2008, Prokuroria kërkoi në Shkallën e Dytë shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës. Me këtë ankim, Prokuroria kërkon t’i njihet vendimi i saj për shtyrjen e afatit të hetimeve me një muaj, nga data 6 nëntor deri në 6 dhjetor 2008. Në zbatim të këtij afati, Prokuroria e Përgjithshme mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale në ngarkim të ministrit Basha, pikërisht më 5 dhjetor, pra një ditë para përfundimit të afatit hetimor të vendosur prej saj. Gjykata e Apelit, e cila ka administruar ankesën e Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se ka lajmëruar palët për zhvillimin e seancës brenda kësaj jave, për shkak se javën e kaluar, sapo morën njoftim, avokatët e Lulzim Bashës dhe Andi Tomës kërkuan pesë ditë kohë për t’u përgatitur. Mbrojtësit ligjorë të të pandehurve i konsiderojnë të paligjshme veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme të kryera pas datës 6 nëntor 2008, përfshi këtu ngritjen e akuzave, mbylljen e dosjes dhe kërkesën për gjykimin e saj në gjykatë. Nëse Apeli vendos prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës për këtë çështje, atëherë veprimet e Prokurorisë mund të konsiderohen të ligjshme, ndërsa bien poshtë argumentet e avokatëve që mbështeten në vendimin e Gjykatës së Tiranës të dhënë më datë 18 nëntor 2008 për ndërprerjen e hetimeve të dosjes “Durrës-Kukës”.          

Fatmira Hajdari

Gjyqtarja Fatmira Hajdari ka pezulluar padinë e bërë nga avokati i Lulzim Bashës dhe vetë ministri, për shkak të kërkesës që prokurori i dosjes “Durrës-Kukës” bëri për përjashtimin e saj. Kërkesa e akuzës është bërë në gjykatë pasi gjyqtarja Hajdari e konsideroi Gjykatën e Rrethit Tiranë kompetente për të gjykuar padi, objekti i të cilave ka të bëjë me persona me imunitet, siç është rasti i ministrit Basha. Pas këtij vendimi të gjyqtares Hajdari, prokurori kundërshtoi duke kërkuar përjashtimin e saj, ndërsa gjyqtarja reagoi duke i kërkuar përfaqësuesit të Prokurorisë së Përgjithshme të lexonte para mediave të pranishme në sallë, nenin e Kodit të Procedurës Penale, ku e bazonte kërkesën e tij për përjashtim. Gjykata pritet të caktojë gjyqtar tjetër për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe më pas do të vijojë shqyrtimi i padisë së bërë nga Basha dhe avokati i tij.

Replika e prokurorit

Prokurori i dosjes “Durrës-Kukës”, Arben Kraja, është ndeshur me veprime bojkotuese dhe mospjesëmarrëse të avokatëve të Lulzim Bashës dhe Andi Tomës. Ata u thirrën për të marrë dijeni për dosjen dhe për komunikimin e akuzave, por refuzuan të marrin pjesë në këto veprime. Ndërkaq prokurori zgjodhi rrugën tjetër, duke dërguar me postë zyrtare aktet e dosjes si dhe letërthirrjet për paraqitjen e avokatëve dhe të pandehurve në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokurori u përfshi në debat edhe me gjyqtaren Fatmira Hajdari pas vendimit të saj, që rrëzoi kërkesën e akuzës që dosja të mos shqyrtohej në Gjykatën e Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›