Dy të mitura në Tiranë përdhunohen brenda ditës
Brenda një dite të vetme policia e kryeqytetit i ka përcjellë Prokurorisë materialet procedurale për hetimin e dy rasteve të kryerjes së veprës penale të "marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur". Bëhet e ditur se ngjarjet kanë ndodhur ditët e fundit në Tiranë, ndërsa për personat e akuzuar si autorë të tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës. Sipas këtyre burimeve të shtunën e kaluar specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Seksuale dhe Lirisë së Personit të Drejtorisë së policisë së kryeqytetit, kanë dërguar në prokurori dosjet për dy ngjarje të përdhunimit të të miturave. Ndërsa të dëmtuarat i përkisnin moshës së mitur, po ashtu është edhe një prej personave të dyshuar si autorë. Më i rëndë ka qenë njëri nga dy rastet, ku e lënduara ishte dhunuar seksualisht në mënyrë të përsëritur dhe në vende të ndryshme. Burimet policore saktësuan se ka "nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin L. Xh., 16 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, për veprën penale të 'marrëdhënies seksuale me dhunë me të mitur". Sipas policisë, dyshohet se 16-vjeçari L.XH. ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase të mitur 14 vjeçe. Po në të njëjtën ditë mësohet se në Prokurorinë e Tiranës janë dërguar edhe materialet për Shkëlqim Sh., 21 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, të akuzuar për të njëjtën vepër penale. Mësohet se procedimi penal në gjendje të lirë ndaj tij ka nisur pas një kallëzimi në polici prej familjarëve të një 17-vjeçareje. E trembur nga ngjarja që kishte kaluar disa herë dhe nga frika e një përsëritjeje tjetër të ngjarjes, ajo i ka rrëfyer prindërve. Menjëherë ata i janë drejtuar policisë, ku edhe kanë kallëzuar veprimet e 21-vjeçarit. Sipas burimeve, Shkëlqim Sh. akuzohet se në mënyrë të përsëritur dhe në vende të ndryshme ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 17-vjeçaren. Burimet nuk zbardhën detaje për marrëdhëniet sociale të mëparshme që kishin të akuzuarit me të lënduarat, por dyshohet se bëhet fjalë për lidhje intime mes tyre. Mësohet se po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjeve dhe vërtetimin apo jo të fajësisë për dy të dyshuarit si autorë të përdhunimeve. ar.ba