E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra në Rumani, studenti shqiptar kërkohet në gjykatë

 

Trazhgim Sokolaj

Gjykata Penale e Kostancës në Rumani ka kërkuar arrestimin e një studenti shqiptar me qëndrim në Tiranë dhe paraqitjen e tij si i pandehur në gjyqin që po zhvillohet atje për masakrën e vitit 2004 në familjen Ion. Albion Todri, nga Berati, ish-student në Rumani, është kërkuar nga Gjykata e Kostancës si i pandehur në procesin gjyqësor që po zhvillohet për vrasjen e tre anëtarëve të familjes rumune, në shtator të vitit 2004. Pak ditë më parë, mbi bazën e një letërporosie të Gjykatës rumune, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrestimin e studentit shqiptar dhe më pas përcjelljen e tij në Rumani. Seanca në të cilën është kërkuar paraqitja e studentit shqiptar është zhvilluar më 11 nëntor 2008. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë shqiptare, sipas të cilave në zbatim të letërporosisë së palës rumune, organi i akuzës paraqiti në gjykatë kërkesën për shoqërimin e studentit, në gjykatën ku po gjykohet edhe një tjetër shqiptar së bashku me një rumun të akuzuar për vrasje në bashkëpunim të tre anëtarëve të familjes Ion.
Masakra në Rumani
Ngjarja ka ndodhur më 29 shtator 2004, kur tre anëtarë të familjes Ion u ekzekutuan në mënyrë brutale. Kryefamiljari Aleksandër, gruaja e tij Lukrezia dhe vajza e vogël e tyre, vetëm 8 vjeç Amelia, janë vrarë me paramendim. Policia thotë se vajza e vogël Amelia dhe nëna e saj Lukrezia u vranë duke i mbytur (dyshohet se Lukrezia është varrosur e gjallë), ndërsa kryefamiljari Aleksandër Ton është therur në fyt. Tri kufomat janë varrosur nga vrasësit në vende të ndryshme, duke vështirësuar gjetjen e tyre nga policia. Për tre muaj familja Ion u shpall e zhdukur por më pas, sektori i krimit të organizuar i policisë së Kostancës arrestoi si të dyshuar për autorësinë e ngjarjes, dy studentët shqiptarë, Blenis Shyti dhe Albion Todri, si dhe mikun e tyre rumun, Stefan Nikuleskun. Ky i fundit ishte nipi i kryefamiljarit Aleksandër Ion, që është prerë me thikë në qafë duke gjetur vdekjen në sytë e vajzës dhe gruas së tij brenda në shtëpi. Sipas hetimeve të policisë rumune, shkaku i ngjarjes dyshohet se ka qenë një mosmarrëveshje droge midis viktimës, Aleksandër Ion dhe studentit shqiptar Blenis Shyti dhe Stefanit, mikut të tij rumun.
Masakra për pazaret e drogës
Ata dyshohet se shpërndanin drogë bashkë me kryefamiljarin e familjes Ion. Studenti shqiptar dhe daja i tij rumun i kanë propozuar bashkëpunëtorit të tyre Aleksandër Ion që të grabisnin një biznesmen, të cilit kishin planifikuar t’i shisnin drogë. Por Aleksandri nuk ka qenë dakord, madje ai i ka kërcënuar të rinjtë se do t‘i denonconte në polici. Paranoja e të rinjve se denoncimi do të bëhej vërtet, dyshohet se ka qenë shkaku pse të rinjtë ekzekutuan Aleksandër Ion në sytë e familjes së tij e më pas për të zhdukur dëshmitarët e këtij krimi, vranë edhe gruan e vajzën e viktimës. Albion Todri, studenti për të cilin Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë, nxori urdhër-arresti me vendim nr.1343 datë 31 tetor 2008, është akuzuar për përkrahje të autorëve të masakrës dhe moskallëzim krimi ndërsa mendohet se nuk ka marrë pjesë direkt në kryerjen e krimit. Megjithatë, Gjykata e Kostancës ka kërkuar paraqitjen e tij në gjyq, dhe pas të dhënave se studenti ndodhej në Shqipëri, ai fillimisht u kërkua në Berat dhe më pas në Tiranë.

Të afërmit e studentëve mohuan akuzat për vrasje

TIRANE - “Albioni nuk ka lidhje me vrasjet në Rumani. E kanë thirrur në polici vetëm sepse është i njohuri i të akuzuarit Blenis Shyti. Këto kanë qenë fjalët e të afërmve të studentit shqiptar Albion Todri, që është kërkuar si i pandehur nga gjykata rumune. Të afërmit e studentit kanë hedhur poshtë akuzat menjëherë pas publikimit të lajmit në vitin 2004, për arrestimin e studentit. Sipas deklarimeve të të afërmve të Albion Todrit në vitin 2004, ai nuk ka pasur asnjë implikim në vrasjen e ndodhur në familjen rumune por policia ka bërë verifikime rreth tij, vetëm për shkak se ishte i njohuri i të arrestuarit Blenis Shyti. Por edhe familjarët e këtij të fundit kanë mohuar implikimin e të afërmit të tyre në krimin e ndodhur në Kostancë, Rumani. Pas arrestimit të Blenis Shytit, të afërmit e tij në Tiranë janë shprehur se atij nuk i mungonte asgjë dhe se nuk kishte shkak të bënte një gjë të tillë. Sipas të afërmve, familja i dërgonte Blenisit të ardhura të mjaftueshme për shpenzimet e shkollës dhe ai nuk kishte shkak të vepronte në atë mënyrë, madje ai ishte i dhënë pas shkollës për çka kishte filluar edhe një fakultet të dytë për diplomaci. Të afërmit e Blenis Shytit kanë pohuar se gjithçka mund të ishte një keqkuptim.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›