E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet me maska dyqani te Spitali Ushtarak

 

TIRANE - Disa persona të maskuar dhe të armatosur grabitën dje në mbrëmje një dyqan në afërsi të Spitalit Ushtarak, në zonën e Laprakës në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20, kur dy persona kanë hyrë në një kinkaleri pranë Spitalit Ushtarak dhe kanë grabitur aty sasinë e parave të grumbulluara gjatë ditës si dhe disa mallra që ishin nxjerrë në shitje, kryesisht karta telefonike dhe artikuj të tjerë. Ngjarja ka shkaktuar panik te kalimtarët e rastit dhe personat e pranishëm në vendin e krimit, të cilët janë kërcënuar me armë nga grabitësit e maskuar. Policia tha se dyqani i grabitur ndodhet fare pranë Qendrës së Dhurimit të Gjakut, pjesë e kompleksit të Spitalit Ushtarak në Tiranë. Pasi kanë marrë paratë e xhiros ditore dhe disa artikuj që tregtoheshin aty, autorët e ngjarjes janë larguar me një automjet pa targa në drejtim të rrugës "Jordan Misja". Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë efektivët e Komisariatit të policisë nr.3 në kryeqytet, të cilët kanë filluar kryerjen e veprimeve hetimore si mbledhja e provave dhe dëshmive të para. Deri rreth mesnatës zyrtarisht nuk është konfirmuar ndonjë shifër e saktë rreth parave të grabitura. Agjentët e hetimit të krimeve në polici kanë dyshime se autorët e ngjarjes mund të kenë qenë përdorues droge. Megjithatë zyrtarët e policisë thanë dje në mbrëmje se ende nuk kanë të dhëna konkrete për identitetin e grabitësve që u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes. Grupi hetimor ka marrë deklarime nga disa dëshmitarë në vendin e ngjarjes, të cilët janë shprehur se nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e ngjarjes që ishin të maskuar. Ekspertët kanë fiksuar në ambientet e brendshme të dyqanit të dëmtuar disa gjurmë gishtash që po administrohen në rrugë shkencore, me qëllim zbulimin e grabitësve të maskuar që janë larguar në drejtim të paditur, duke i shpëtuar arrestimit nga policia.     re.kr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›