Calciopoli, Xhiraudo dënohet me 3 vjet burg
NAPOLI- Gjykata e Napolit ka dhënë 11 vendimet e para në lidhje me skandalin e Calciopolit, ku të akuzuarit kryesor janë Luçiano Moxhi e Antonio Xhiraudo. Gjykatësi Eduardo de Gregorio ka dënuar me 3 vjet heqje lirie ish-administratorin e Juventusit në vitet 1994-2006 Antonio Xhiraudo. Ish-drejtuesi i klubit bardhezi akuzohet për krijim shoqërie kriminale, që finalizohej me mashtrim sportiv. Për Xhiraudon, prokurorët Narduçi e Beatriçe patën kërkuar 5 vjet burg. Ndërkohë, Gjykata ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj heqje lirie ish-arbitrin Ticiano Piero dhe për 2 vjet kreun e Shoqatës së Arbitrave në Itali, Tulio Laneze. Ndërsa ish-gjyqtari Paolo Dondarini, i akuzuar vetëm për mashtrim sportiv, është dënuar me 2 vjet burg dhe 20 mijë euro gjobë. Xhiraudo, Pieri e Dondarini janë dënuar edhe më parë me ndalimin e vajtjes në stadiume për një periudhë 3 vjeçare. Ndërkohë, 7 të pandehurit e tjerë ku bëjnë pjesë ish-arbitrat Stefano Kasara, Marko Gabriele, Xhanluka Roki e Domeniko Mesina si edhe ish-anësorët , Duçio Baljoni, Xhuzepe Fosketi dhe Alesandro Griseli. Pas përfundimit të procesit sportiv të skandalit të Calciopolit, të zhvilluar nga Prokuroria e Federatës, në Gjykatën e Napolit është duke u zhvilluar procesi penal. Në ditët e ardhshme pritet edhe masa e dënimit për njeriun kryesor të këtij skandali, Luçiano Moxhin, i cili akuzohet për krijim shoqërie kriminale që finalizohej me mashtrim sportiv si edhe për kërcënime.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)