E Shtunë, 31 Tetor 2026

ENEMO: Kosova shënon përmirësime në zgjedhje

PRISHTINË- Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë, ENEMO ka konstatuar përmirësime në raundin e dytë të zgjedhjeve. Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësuan se në raundin e dytë të zgjedhjeve është përmirësuar procedura e votimit dhe është vënë re efikasitet më i madh në numërimin e votave.
Por shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë, Darko Aleksov gjatë prezantimit të raportit paraprak të vëzhguesve tha se ishin vërejtur edhe një numër parregullsish. “Prania e gjerë e votimit familjar që është vrojtuar, jo vetëm që është kundër ligjit, por paraqet një shkelje serioze të parimit të rëndësishëm të fshehtësisë së votimit”, tha Aleksov.

Sipas tij, shumë deklarata të mashtrimit dhe manipulimit nga shumica e partive, janë bërë shpesh pa konsideratë ndaj mekanizmave ligjorë dhe kjo ka krijuar një atmosferë të tensionuar, në të cilën, sipas rrjetit të vëzhguesve, ENEMO, legjitimiteti i rezultateve mund të sfidohet.

Vëzhguesit e huaj tërheqin vërejtje se mbështetja e vazhdueshme e autoriteteve kosovare në ndihmën ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve, ka ngritur shqetësime rreth gatishmërisë për ndërtimin e kapaciteteve brenda institucioneve përkatëse.
(m.a/ina/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›