E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga “Ali Demi”, mbillen 260 pemë

 

Pjesë e dekorit të rrugës “Ali Demi” janë tashmë dhe 260 pemë të llojit rrap. Në sajë të Nismës së Bashkisë së Tiranës është planifikuar gjelbërimi i disa akseve kryesore të kryeqytetit. “Sot ne e rihapim këtë sezon mbjelljesh së shpresës dhe njëkohësisht të dëshmive në të gjithë kryeqytetin të kësaj perspektive për Tiranën, që qëndron ndër të tjera dhe tek përmasa e saj e gjelbër”, u shpreh Kryebashkiaku Rama, i pranishëm në procesin e mbjelljes së pemëve. Ai falënderoi të gjithë ata që kanë mbështetur nismën e tij, si dhe bëri përsëri thirrje që numri i tyre të jetë sa më i madh. “Këmbëngul në ftesën time sepse jam i bindur që së bashku ne mund të bëjmë të mundura gjëra që duken te pamundura dhe mbi të gjitha nuk është e pamundur, se po bëhet përditë e më e mundur që perspektiva e Tiranës së re Evropiane”, vazhdoi Rama. Kjo nismë që filloi në dhjetor të 2008, pritet të përfundojë në fund të këtij muaji. Gjatë kësaj periudhe do të bëhet e mundur mbjellja e 3000 pemëve dekorative të llojeve të ndryshme në bulevardet kryesore të qytetit. Në këtë mënyrë, bashkia kërkon të përmbushë objektivin për përmirësimin e cilësisë së mjedisit në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›