Efektet e ilaçeve, numër telefoni për informimin e pacientëve
Informim të pacientëve për efektet anësore që mund të shkaktojnë ilaçet. Kjo është nisma më e re e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave (QKKB). Sipas drejtuesve të kësaj qendre, në dispozicion të pacientëve, mjekëve, por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë, është vënë një numër telefoni ( 23 76 045) dhe një adresë e-mail. “Kjo për të mundësuar raportimin e të gjitha efekteve anësore të barnave, si dhe veprimin e tyre”, sqarojnë drejtuesit. Ata nënvizojnë se gjithçka po ndërmerret në vijim të hapave të para në fushën e farmakovigjilencës në Shqipëri. Nisma është në përputhje me direktivat më të fundit të BE-së dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, krijimi i një qendre farmakovigjilence, për herë të parë në vendin tonë, do të ndihmojë në vlerësimin dhe parandalimin e efekteve anësore dhe gjithë problemeve që lidhen me konsumimin e barnave. Aktualisht, në mungesë të saj nuk ka asnjë parametër të matshëm për mënyrën si i përdorin shqiptarët medikamentet, nëse është ajo e drejtë apo e gabuar. Ky problem disa muaj më parë është ngritur edhe në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, pas të dhënave se konsumi i ilaçeve bëhet shpesh edhe kur nuk është i domosdoshëm. Farmakovigjilenca është një shkencë relativisht e re, që po ndikon ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës, pasi barnat radhiten si një ndër 10 shkaqet kryesore që sjellin si pasojë, vdekjen e përdoruesve të tyre.