E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamanlis, reformë në qeveri,ndryshojnë 9 nga 16 ministra

 

Kryeministri grek, Kostas Karamanlis i është ‘dorëzuar’ presionit të krijuar prej disa javësh nga protestat e dhunshme dhe kritikave kundër qeverisë, duke riorganizuar kabinetin e tij. Kabineti i ri pritet të betohet sot në orën 11:00. Nga kabineti i vjetër kanë mbetur vetëm shtatë ministra. Ndër ta edhe Ministrja e Jashtme, Dora Bakoyannis e Ministri i Mbrojtjes, Evangelos-Vassilios Meimarakis. Në të njëjtën detyrë do të qëndrojë edhe Ministri i Brendshëm, Prokopis Pavlopoulos, me gjithë kritikat kundër tij pas trazirave të javëve të fundit në Athinë e qytete të tjera, që pas vrasjes së një 15-vjeçari nga policia më 6 dhjetor. Ministra të tjerë të pandryshuar do të jenë ai i Ambientit George Souflias, i Shëndetësisë Dimitris Avramopoulos, i Marinës Tregtare, Anastassis Papaligouras si dhe i Punësimit, Fani Palli-Petralia. Riformulimi i kabinetit ka ndodhur vetëm një vit pas rizgjedhjes së Karamanlisit në vitin 2007. Një hap i tillë pritej të ndodhte që në muajin dhjetor, por nuk pritej që ndryshimet të preknin pika të forta të qeverisë “Karamanlis”. Nga reforma u prek edhe ministri i Financave, George Alogoskoufis, i cili është përmendur për aftësinë e mbajtjes të normës së rritjes në ekonominë greke në të njëjtin nivel, me gjithë krizën e ekonomike globale. Por Alogoskoufis ka një reputacion të keq për reformat jopopullore ekonomike (ku përfshihet edhe një paketë e re taksash të rënda), të cilat kanë nxitur shumë pakënaqësi në popull dhe kanë ulur popullaritetin e qeverisë së qendrës së djathtë gjatë muajve të fundit. Me gjithë këtë ndryshim të konsiderueshëm në fushën financiare, efekti në tregjet e Greqisë pritet të jetë i vogël. Në një konferencë për mediat, zëdhënësi qeverisë, Evangelos Antonaros njoftoi se Ministri i Financave do të zëvendësohet nga numri dy i kësaj ministrie, Yiannis Papathanassiou. Po ashtu ministri aktual i Transporteve, Costis Hadzidakis do të zëvendësojë ministrin e Zhvillimit, Christos Folias. Ministri i Arsimit, Evripidis Stylianidis u bë ministër i Transporteve, ndërsa vendin e tij e mori Aris Spiliotopoulos, ministri i Zhvillimit të Turizmit. Partia Socialiste në opozitë nuk u deklarua e kënaqur me ndryshimet në kabinetin qeveritar. Sipas tyre, kjo nuk do të zgjidhë problemet e shumta të Greqisë. “Kjo nuk e ndryshon politikën financiare, e cila e ka bërë krizën më keq. Kjo nuk ndryshon politikën e rendit publik, që i ka bërë të gjithë grekët të ndjehen të pasigurt”, tha zëdhënësi i PASOK, Giorgos Papaconstantinou. Protesta të reja shpërthyen dje, kur disa të rinj sulmuan një stacion policie në Athinë me molotov. Sholla dhe universitete janë ‘pushtuar’ nga të rinj dhe anarkistë, që nga java e dytë e dhjetorit 2008. Që atëherë telashet janë shtuar dita-ditës për kryeministrin Karamanlis. Qeveria e qendrës së djathtë, Demokracia e Re, u zgjodh në pushtet në vitin 2004 bazuar në një platformë të reformave ekonomike. Ajo u kthye në pushtet në shtator 2007, duke fituar vetëm një vend më shumë në Parlamentin Grek me 300-anëtarë.

Kabineti i ri

Ministri i Ekonomisë
e Financave
Yiannis Papathanassiou

Ministri i Zhvillimit
Costis Hatzidakis

Ministri i Arsimit
Aris Spiliotopoulos

Ministri i Transporteve
Evripidis Stylianidis

Ministri i Rendit Publik
Christos Markoyannakis

Ministri i Kulturës
Antonis Samaras

Ministri i Drejtësisë
Nikolaos Dendias

Ndryshime në drejtime pati edhe në Ministrinë e Agrikulturës dhe të çështjes Maqedoni-Trakë

Mbeten

Ministrja e Jashtme
Dora Bakoyannis

Ministër i Mbrojtjes 
Evangelos-Vassilios
Meimarakis

Ministër i Brendshëm
Prokopis Pavlopoulos

Ministër i Ambientit
dhe Punës
George Souflias

Ministri i Shëndetësisë
Dimitris Avramopoulos

Ministri i Marinës Tregtare
Anastassis Papaligouras

Ministri i Punësimit
Fani Palli-Petralia

Protestë në heshtje

Rreth 700 policë janë mbledhur jashtë spitalit të Athinës, duke inskenuar një protestë të heshtur për plagosjen e policit në qendër të Athinës nga dy plumba. Diamantis Mantzounis, 21 vjeç, mbetet ende në kushte kritike për jetën pas dy ditësh i shtruar në spital. Të shtënat kundër tij ndodhën në një lagje rebele në Athinë “Exarchia”, pranë vendit ku nga të shtënat e një polici u vra një adoleshent 15-vjeçar më 6 dhjetor. Sulmet kundër policëve janë lidhur me një grup militant të majtë, “Lufta Revolucionare”, e cila ka deklaruar përgjegjësinë për hedhjen e një granate në Ambasadën amerikane në Athinë dy vjet më parë. Kjo ka rritur frikën e gjallërimit të lëvizjeve ekstremiste dhe dhunës së shkaktuar prej tyre si më e keqja e shfaqur në Greqi në dekadat e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›