Sejdiu, sulm politikës së Beogradit
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka akuzuar Serbinë për përpjekje për të parandaluar proceset politike, si dhe për projekte për destabilizimin e Kosovës. “Tani Kosova është një vend i qëndrueshëm dhe me një vizion të qartë për të ardhmen e saj”, tha Sejdiu, deklaratat e të cilit pasuana një notë proteste drejtuar OKB-së dhe BE-së nga homologu i tij serb, Boris Tadiç,ku drejtoheshin akuzua kundër politikës së Prishtinës, si agresive ndaj serbëve në Mitrovicë. Presidenti serb ka deklaruar se autoritetet e Kosovës dhe ekstremistët shqiptarë po përpiqen që me dhunë të provokojnë konflikte me serbët. Ndërkohë, në Mitrovicë situata vazhdon të mbetet e tensionuar. Gjatë orëve të para të së mërkurës dy grupe shqiptarësh dhe serbësh sërish janë mbledhur mbrëmë në Suhodoll të Mitrovicës, pas një incidenti kur dy makina, një e pronarit shqiptar e tjetra e atij serb, janë dëmtuar nga persona të panjohur. Policia e Kosovës, e pjesës veriore dhe asaj jugore, ka arritur që të ndajë grupet e qytetarëve dhe të normalizojë gjendjen. Analistët janë shprehur se incidentet e fundit në veri të Kosovës kanë për qëllim sfidimin e autoriteteve kosovare dhe ndërkombëtare që veprojnë atje. Sipas tyre këto incidente mund të çojnë në përshkallëzim të situatës, po qe se nuk merren masa nga mekanizmat veprues në këtë pjesë. Mendohet se të gjitha incidentet provokohen nga strukturat paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës, edhe pse nga UNMIK janë vlerësuar si të paligjshme. Qeveria e Kosovës akoma nuk ka dalë me një strategji konkrete për instalimin e autoritetit në pjesën veriore. Ndërsa përfaqësues të opozitës kishin propozuar shtimin e nënstacioneve policore në veri, si hap për mbajtjen nën kontroll të situatës atje, kjo u hodh poshtë nga zyrtarë qeveritarë, sipas të cilëve, hapja e nënstacioneve policore kudo në Kosovë nuk është vendim politik, por bëhet sipas nevojave të komunitetit. Edhe diplomatë ndërkombëtarë mendojnë se situata është mjaft delikate. Ish-kryeadministratori i Kosovës, i cili nisi hapat e parë për zgjidhjen e status quo-së, Soren Jessen Petersen, ka deklaruar se situata në veri të Kosovës është më e vështirë nga sa ishte parashikuar. Ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, që të ndërhyjë për të zgjidhur këtë konflikt. “Situata mbetet e vështirë, por mendoj se BE-ja dhe EULEX-i e kuptojnë mirë sesa delikate është ajo dhe do të bëjnë shumë kujdes”, tha Petersen. Ai parashikoi zgjidhjen e këtij konflikti në një periudhë dyvjeçare.