E Diel, 1 Nëntor 2026

Situatë e rëndë në shkollat e rrethit të Matit

 

BURREL - Viti i ri kalendarik ka nisur me probleme serioze për afro 12 mijë nxënësit e rrethit të Matit. Megjithëse dikasteri i arsimit kishte njoftuar se shkollat e këtij rrethi do të hapeshin sot, zyra arsimore Mat vendosi që nxënësit e këtij rrethi të nisnin mësimin që dje. Flamur Stafasani, Drejtor i Zyrës Arsimore Mat pohoi se ishte konsultuar me Ministrinë e Arsimit dhe ishte rënë dakord që mësimi në shkollat e këtij rrethi të niste të mërkurën. Ndërkohë procesi mësimor ka nisur me mjaft probleme në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të këtij rrethi. Nëse në qytetin e Burrelit kishte një frekuentim më të mirë dhe kushte disi më normale, në fshatrat e këtij rrethi nuk bëhet fjalë për mësim. Kryetarë të komunave, Macukull, Xibër, Gurrë, Komësi, Derjan, Baz etj, jo vetëm nuk e kanë mbështetur vendimin e Zyrës Arsimore, për hapjen e shkollave, por ata informojnë se në shumicën e fshatrave të këtij rrethi dje nuk ka nisur mësimi. Edhe një pjesë e mësuesve nuk janë paraqitur në detyrë, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe njoftimit të Ministrisë së Arsimit për ndërprerjen e mësimit për tre ditë, deri në përmirësimin e situatës. Në shumë fshatra shkollat paraqiten në gjendje kritike. Mungojnë dyer e dritare, çatitë pikojnë, mungon ngrohja dhe disa objekte janë larg qendrave të banuara.       H.P

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›