E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: Qipro, e barabartë, na duhen patjetër 3 pikët

TIRANE- Lorik Cana nuk e ka harruar fitoren 6-1 kundër Qipros 3 vjet më parë, por kapiteni i përfaqësueses shqiptare e konsideron takimin e së premtes si tejet të vështirë. Duke folur para mediave në Durrës, mesfushori i Lacios e ka quajtur si tepër të rëndësishme këtë takim, pasi Shqipërisë i duhen patjetër tre pikët në fushën e saj. 

Por, sipas Canës, qipriotët kanë një ekip të mirë dhe nuk kanë ndonjë disnivel me kuqezinjtë, përpos humbjes së vitit 2009. “Them se do të jetë shumë e vështirë, pasi ne na duhen patjetër 3 pikët, - deklaroi Cana. – Qipro është një kundërshtar që ka një kampionat me nivel më të lartë se yni dhe kjo shihet nga arritjet e klubeve të tyre në Kupat e Evropës. Mendoj se një skuadre shqiptare do t’i duhen vite që të hyjë në fazën në grupe të Champions League. 

Gjithsesi, them se janë një skuadër e barabartë me ne. I kemi mundur në të shkuarën dhe mund ta bëjmë sërish”, shtoi futbollisti kuqezi. Ndërkohë, në lidhje me deklaratën e De Biazit, se futbollistët duhet ta harrojnë atë fitore 6-1 të tre viteve më parë, Cana shprehet: “Një fitore e tillë nuk mund të harrohet, por trajneri ka dashur të nënkuptojë që nuk duhet të bazohemi te ajo, për sfidën e radhës. Ka shumë ndryshim mes një sfidë miqësore dhe eliminatoreve për Kupën e Botës. Kjo është ndeshja e parë dhe është shumë e rëndësishme që ta nisim mirë dhe unë jam i bindur se i kemi shanset për ta bërë këtë”, shtoi futbollisti i përfaqësueses kuqezi.

DËMTIMI
Lorik Cana vjen në këtë ndeshje me disa probleme në shpinë dhe në këmbë, por kapiteni kuqezi premton të jetë në fushë për kombëtaren. Ai nuk luajti në takimin e Europa League kundër Muras, por edhe në fundjavë ndaj Palermos. Gjithsesi, problemi nuk duket aq i rëndë sa të lërë atë jashtë ndeshjeve të para zyrtare. “Kam disa shqetësime fizike, si nga goditja që kam marrë në këmbë, ashtu edhe me shpinën. Gjithsesi, po punoj që të jem në formë të mirë kundër Qipros”, deklaroi ai. Prezenca e Canës duket një siguri më shumë për kombëtaren, duke parë rolin e tij prej lideri në prapavijë. 

DEBUTUESIT 
Duke folur për dy futbollistët më të rinj të ekipit kombëtar, Alban Meha e Burim Kuleli, nga të cilët De Biazi pret shumë. “Luajnë në dy kampionate shumë të fortë, në Zvicër dhe në Bundesligën II, ç’ka tregon se janë futbollistë të një niveli të lartë. Për Mehën kam parë vetëm pamje nga interneti dhe më duket se ka cilësi shumë të mira. Ndërsa me Kukelin kam luajtur njëherë si kundërshtar, në një miqësore mes Lacios e Luzernës. Janë dy futbollistë me vlera dhe mendoj se do të na vlejnë shumë. Jam i bindur që do të paraqiten mirë”, deklaroi Cana. Alban Meha e Burim Kukeli grumbullohen për herë të parë në Kombëtaren A, duke qenë dy mesfushorë nga të cilët De Biazi pret shumë. Meha luan në Bundesliga II me Paderbornin, ndërkohë që Kukeli aktivizohet në Zvicër me skuadrën e Luzernës.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›