E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana “çmend” skuadrat Europiane

12/04/2005  “Ylli” i përfaqësueses kuqezi vazhdon të jetë “objekt” dëshirash për disa klube të njohur kontinent

Ende nuk i ka mbushur 22 vjeç, por kjo nuk e ka penguar të jetë një ndër futbollistët më të mirë shqiptarë dhe mbi të gjitha, të jetë në qendër të vëmendjes së klubeve të mëdhenj të Evropës. Bëhet fjalë për mesfushorin tonë, Lorik Cana, i cili është kthyer në një objekt dëshirash për disa klube të Evropës, të cilët janë shumë të interesuar të kenë shërbimin e mesfushorit tonë. Lorik Cana aktualisht, aktivizohet me skuadrën e PSG-së, me të cilën po përjeton një sezon të shkëlqyer, të paktën nga ana personale. Në të vërtetë, deri më tani sezoni i parizienëve ka qenë tërësisht i dështuar, por mesfushori ynë, në planin personal është duke përjetuar një situatë krejt ndryshe nga ajo e klubit të tij. Mesfushori ynë është kthyer në një titullar fiks te skuadra pariziene, madje edhe në një idhull për tifozerinë e PSG-së. Kjo, në sajë të lojës së tij, e cila ka spikatur edhe në ndeshjet e përfaqësueses shqiptare, ku do të veçohet ndeshja e fundit në “Karaiskaki” të Pireut, kundër kampionëve të Evropës, Greqisë. Këto paraqitje mjaft të mira të tij me PSG-në dhe me Shqipërinë, si dhe stabiliteti dhe vazhdueshmëria e tij në lojë, kanë zgjuar interesin e mjaft skuadrave të mëdha evropiane, ku në poleposition janë ato angleze, por nuk mungojnë edhe ofertat, Gjermani, Portugali dhe si zakonisht nga Italia. Ndër skuadrat angleze do të theksonim Totenemin, i cili ndër të tjera ka kërkuar edhe shërbimin e një tjetër futbollisti me origjinë kosovare (bëhet fjalë për Valon Behramin, që aktivizohet me Veronën), si dhe Evertoni. Një tjetër skuadër që e ka shprehur dëshirën dhe gatishmërinë e saj për të pasur shërbimin e mesfushorit të PSG-së, është edhe “gjigandi” gjerman, Bajern Mynih. Skuadra bavareze ka kohë që e ndjek mesfushorin kosovar, por deri më tani nuk është bërë e mundur arritja e ndonjë marrëveshjeje konkrete. Dhe, kjo për faktin e thjeshtë, se Cana duket i dashuruar me skuadrën e PSG-së. Por, duket se interesimi për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare ka prekur edhe vende të tjera. Kështu, edhe pse jo zyrtarisht, mësohet se edhe një skuadër portugeze ka shprehur dëshirën për të patur në gjirin e saj, 21 vjeçarin nga Prishtina. Ndërkohë, në këtë interesim nuk kanë mbetur jashtë as skuadrat italiane. Duket se ka qenë Roma, ajo që është interesuar për Lorik Canën, por mesfushori kosovar ka bërë të ditur qartë se nuk ka ndër mend të shkojë në kryeqytetin italian. “Roma është një qytet mjaft i bukur dhe do të kisha dëshirë ta vizitoja, por nuk kam ndër mend që të luaj në Romë”- ka deklaruar mesfushori i PSG-së, Lorik Cana. Gjithashtu, disa ditë më parë, më saktë një javë para ndeshjes së Kombëtares sonë kundër Turqisë, në një intervistë të tij të publikuar në faqen e internetit të PSG-së, Cana ka bërë të ditur se dëshira e tij është të qëndrojë në Paris, por në të njëjtën kohë, ka pranuar se ka patur disa oferta. Sipas tij, ai është duke i parë me kujdes dhe nuk do të ishte ndonjë çudi, nëse ai do të linte skuadrën e tij aktuale në fund të sezonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›