E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri i prokurimeve thyen konkurrencën

12/04/2005  Eshtë kërkuar prokurimi për mallra me afat kohor mbi 1 vit dhe përzgjedhja vetëm e firmave që kanë ekskluzivitete

Spitalet, kopshtet apo burgjet do t’i delegojnë të drejtën e shërbimeve apo blerjeve të mallrave firmave, të cilat do të kenë kohë të realizojnë shërbimin e tyre dhe jashtë programit buxhetor të një viti. Ky është vetëm një nga ndryshimet e kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimeve Publike, të cilat kanë përgatitur disa ndryshime në ligjin “Për prokurimet publike”. Ligji për prokurimet ka patur dhe një obsion tjetër shtesë, që tenton t’i detyrojë institucionet t’i blejnë mallrat nga firma, të cilat kanë ekskluzivitetin e mallit apo shërbimit që kërkohet. Të dyja këto ndryshime janë pritur me debate nga deputetët e opozitës, të cilët kanë deklaruar se nuk votojnë për kalimin me urgjencë të këtij projektligji dhe janë larguar nga mbledhja. Ndryshimet në projektligj të bëra vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve, u japin një liri të tepruar enteve prokuruese brenda institucioneve të bëjnë tendera të drejtpërdrejtë, duke eliminuar nga konkurrimi firmat që nuk kanë ekskluzivitete malli apo shërbimi. Jo vetëm kaq, por drejtuesit e institucioneve mund të firmosin për blerje apo shërbime, të cilat do të okuponin para në disa vite buxhetore dhe nga ana tjetër nuk do të kishin fatura me vlera reale që ofron tregu. Specialistët që hartuan ndryshimet në projektligj dhe përfaqësues të Agjencisë së Prokurimeve Publike, kanë mbrojtur variantin e ndryshuar përpara Komisionit të Ekonomisë. “Shërbimet hoteleri, lavanderi brenda institucioneve publike janë në gjendje të mjeruar dhe ligji propozon që prokurimet për sa i takon këtyre shërbimeve të bëhen nga tregu dhe jo nga vetë institucioni”, ka thënë përfaqësuesi i Agjencisë së Prokurimit Publik. Specialistët në Ministrinë e Shëndetësisë e kanë justifikuar ndryshimin e ligjit me faktin se, brenda institucioneve shtetërore, ku është e detyrueshme të shërbehet ushqimi apo të kenë lavanderi, siç janë spitalet apo burgjet, ka një nivel mjaft të ulët shërbimi, edhe pse shteti harxhon para për këtë qëllim. Kjo i ka shtyrë vetë institucionet t’i referohen një firme për të kryer këtë aktivitet, e cila do të marrë paratë që janë përcaktuar në buxhet për këtë qëllim dhe që i jepen institucionit çdo fillimviti. Problemi qëndron kur firma do të duhet të zgjasë shërbimin e vet përtej afatit kohor prej një viti. “Ligi parashikon që kontrata për shërbime, blerje mallrash apo ndërtime, lidhen me afat 1 vit deri në mbylljen e vitit buxhetor, por ky nen e bën të mundur që prokurimet e shërbimeve komplekse, kur janë në formë e cilësi dhe paraqiten me kosto të leverdisshme, të bëhet për një periudhë më të gjatë se një vit”, ka bërë të ditur përfaqësuesi i APP-së. Por, kjo është kundërshtuar me forcë nga deputetët e PD-së, të cilët kanë deklaruar se prokurimet me afat kohor të gjatë mbi 5 vjet, siç kërkohet ndryshimi në ligj, shkojnë në kundërshtim me ligjin e prokurimeve. “Kjo jo vetëm që është e dëmshme ekonomikisht, por dhe nuk qëndron, për vetë faktin se tenderi bëhet me çmime dhe mbështetet në konjukturat e vitit kur zhvillohet, ndërkohë që firma do të vazhdojë investimin pesë vjet duke ruajtur ato çmime, edhe pse tregu mund të ndryshojë”, ka deklaruar Bode në kundërshtim të kësaj pike. Ndryshimi tjetër qëndron në faktin se i është dhënë kompetencë enteve prokuruese të gjykojnë vetë mbi përdorimin e procedurave të prokurimit të drejtpërdrejtë, duke përzgjedhur mes alternativave rastin kur një furnizues apo kontraktues ka të drejtën ekskluzive për mallrat. Kështu, në rastin e përdorimit të procedurave të prokurimit të drejtpërdrejtë, nuk do të jetë e nevojshme të merret miratimi i Agjencisë së Prokurimeve Publike, por do të jetë vetë Enti Prokurues i Institucionit, i cili në mbështetje të ndryshimit në ligj, do të përzgjedhë firmën. Kjo pikë ka qenë një tjetër çështje mjaft e debatueshme në komision. Deputeti i opozitës, Ridvan Bode e ka kundërshtuar, duke e argumentuar me faktin se, neni që i shtohet ligjit thyen në mënyrë të hapur konkurrencën. “Ky ndryshim thyen në mënyrë të hapur konkurrencën dhe u jep mundësi enteve të zgjedhin cilën firmë të duan”, ka thënë në lidhje me ndryshimin e dytë në projektligj Ridvan Bode. Komisioni i Ekonomisë nuk ka mundur dot të kalojë projektligjin pas debatit me deputetët e opozitës, të cilët deklaruan votën e tyre kundër dhe u larguan nga salla. Kështu ndryshimet e kërkuara nga Këshilli i Ministrave do të vazhdojnë të diskutohen në Komision.

Projektligji, ja ndryshimet

Neni 5

-Enti Prokurues, për objektet e mëdha publike dhe për shërbimet, kur afati kohor i ndërtimit dhe i investimit të tyre kërkon vazhdimësinë dhe në vitet kalendarike pasardhëse, prokuron fondet për ndërtim, shërbim dhe supervizimin e tyre, sipas vlerësimit të plotë të objektit të prokuruar për vlerën e plotë, shtrirë në më shumë se 1 vit kalendarik, duke i përfshirë detyrimisht në buxhetet e viteve pasardhës për vazhdimin dhe përfundimin e tij.

Neni 19

1-Kur në mungesë të konkurrencës për arsye teknike, mallrat, ndërtimet dhe shërbimet sigurohen vetëm nga një konkurrent;

a- Për investime, projekte dhe sisteme teknologjike të informacionit që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e burgjeve

2- Kur një furnizim ose shërbim ka të drejtën ekskluzive për mallin ose ndërtimin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›