E Diel, 1 Nëntor 2026

Toleranca, "kufiri" midis qytetarit dhe fanatikut

12/04/2005  Pse kaq e kufizuar hapësira…

Shqipëria është terren i vështirë për tolerancë…. Janë disa tregues evidentë të jetës sociale dhe politike, që të bindin për këtë. Shikoni realitetin tonë. Ka shumë egërsi, brutalitet, dhunë, grindje e konflikte sociale, krime të rënda në familje e jashtë saj, vrasje për motive xheloze e tradhti bashkëshortore, hakmarrje këmbëngulëse të llahtarshme, fenomene eksplicite nacionale të gjakmarjes, politikë konfliktuale, që gjeneron intolerancë politike, mungesë qytetarie në komunikim, përdorim të forcës fizike, mbi trupin e tjetrit, për qëllime të ndyra sadiste e seksuale. Të gjitha këto fenomene konfliktuale, antiqytetëruese, fillojnë nga “konflikti civil verbal” si konflikt përmes fjalëve të vrazhdëta e të pista, e deri te konflikti tragjik, tepër masiv në jetën tonë të kohëve të fundit, që mbyllet me vrasje dhe vdekje.

Dominimi i intolerancës, si tipar jo vetëm shqiptar, por edhe rajonal, e ka bërë Ballkanin tonë, "dele të zezë" të shfaqjeve të tipareve psikike e psikologjike, që e bëjnë të çuditshëm ekzistencën e veçantë të këtij rajoni, të prapambetur, nga modeli dhe standardet e qytetërimit evropian. Në këtë rajon dhuna, konflikti, vrasjet, vdekjet janë bërë mënyrë e zakonshme për zgjidhjen e konflikteve, duke filluar nga ato midis kombeve, brenda tyre e deri në qelizat e jetës publike dhe private të shoqërisë.

Statistikat sociale në Shqipëri janë alarmante. Në qoftë se, duam të mbyllim sytë, përballë këtij realiteti, kjo është tjetër gjë. Në qoftë se duam të ndërtojmë një shoqëri të "përzier" ku pjesa qytetare e shoqërisë, nuk do t’ia dijë për zgjerimin e hapësirave dhe enklavave sociale, në të cilat konflikti dhe intoleranca, janë bërë "modus vivendi" e "modus operenti" për grupe të tëra, që jetojnë në konflikt, dhe jetën e shijojmë vetëm përmes ekzistencës permanente të tij, edhe kjo është tjetër gjë.

Nuk ka shtyp dhe televizion në Evropë, që çdo ditë të jetë i dominuar, nga kronikat e zeza si në përmasa të tilla si në Shqipëri. Çdo ditë, shumë të vrarë, të rrahur, të dhunuar, të përdhunuar fizikisht, seksualisht e psikologjikisht. Çdo ditë, zgjerim i përmasave të krimit në familje për xhelozi, për mungesë besnikërie bashkëshortore, apo dyshime për flirte jashtë martesore, për marrëdhënie incestuale, për grabitje e vjedhje, për konflikte pronësore, për politikë, për çështje fetare. Konflikti social, si mënyrë primitive e zgjidhjes së problemeve, tani në jetën tonë, nuk është fenomen as i rastit, as i shkëputur. Ai është bërë një dukuri sociale, me përmasa shqetësuese.

Kudo që të shkosh, në çdo ambient publik, në treg, në autobus, në rrugë ku përplasen makinat, ku konfliktohen të rinjtë në rivalitet për një femër, kudo do të dëgjosh britma të frikshme histerike, ulërima kafshërore ,dhunë alogjike, gjak, egërsi. Të duket sikur je bashkëkombës i një populli jo të vjetër, të qytetëruar dhe me kulturë të lashtë, por pjesëtar i një populli me nuanca primitivizmi, neurotizmi kolektiv, i deformuar nga dashuria e përhershme për dhunën, në të gjitha format e saj, nga ajo verbale, politike e sociale. I tillë është realiteti ynë. Mungesa e tolerancës, e mirëkuptimit, e zgjidhjes paqësore e qytetare të konflikteve në shoqëri, është dukuri masive, tipike për shoqërinë tonë sot. Në ambientin shqiptar, koncepti dhe qëndrimi tolerant i njeriut të qytetëruar, ka tendencë të keqinterpretohet, për shkak të terrenit tonë social.

Ne kemi patur fatkeqësinë që si popull jemi hallakatur historikisht, midis shumë modeleve të sjelljes morale, të imponuar nga pushtues fizikë dhe pushtues spiritualë. Kjo ka derteminuar një situatë dhe ka sjellë pasoja negative në jetën tonë, mungesën e një morali të qartë e të kristalizuar kombëtar, të fortë dhe konsensualisht të pranuar nga të gjithë. Toleranca, është ndoshta, një nga tiparet e para të kodit dhe sjelljes morale, që duhet kultivuar kudo, në të gjitha marrëdhëniet që ndërtohen në shoqërinë shqiptare. Pa tolerancë nuk mund të ketë moral, qytetërues.

Toleranca si tipar i qytetërimit modern…

Pa dyshim, në shoqëri dhe në marrëdhëniet midis njerëzve, ka shpesh situata të vështira për t’u zgjedhur. Ato shpesh janë edhe konflikte në përmasa më të mëdha sesa konflikti midis dy ose shumë njerëzve. Sepse situata konfliktuale fillon nga konflikti në çift, konflikti në grup social, konflikti rajonal, konflikti nacional, dhe më në fund edhe me përmasa botërore. Pavarësisht dimensionit të shtrirjes, konflikti mbetet, dhe kërkon rrugët e zgjidhjes së tij.

Në këtë kontekst, zgjidhjet e situatave konfliktuale në shoqëri, kanë njohur disa rrugë, duke filluar nga lufta civile si konflikt i armatosur midis palëve me pozicione politike të papajtueshme që kanë bërë luftë për jetë a vdekje me njëri-tjetrin, e deri te grupi paqësor i mjeteve të zgjidhjes së konfliktit, përmes tolerancës, kompromisit, konsensusit qytetar. Këto të fundit, toleranca, konsensusi dhe kompromisi, janë mjete dhe produkt i qytetërimit modern, për zgjidhjen e konflikteve. Ato janë bërë instrumente themelore të funksionimit të shoqërisë civile, dhe të zbutjes së arsyeshme të konflikteve midis njerëzve, grupeve të interesit dhe shoqërisë në tërësi. Pa dyshim, këto këto instrumente sociale, luajnë rol dhe janë funksionale, në një terren të kultivuar qytetar. Në këtë terren, zbuten konfliktet sociale, që lindin midis njerëzve, për shkak të besimit fetar, racës, bindjes politike apo përkatësisë etnike.

Në kohën tonë, këto dallime janë bërë bazë për ekzistencën e shumë konflikteve me përmasa e dimensione të ndryshme shtrirjeje.

Mënyra se si zgjidhen këto konflikte, modeli që përdoret për t’i zbutur ato, është tregues i parë cilësor dhe sintetik, i kualitetit të një shoqërie të caktuar. Në të vërtetë, jo vetëm mënyra se si zgjidhen këto konflikte, por edhe shkaqet që ato i lindin, intensiteti me të cilin ato shfaqen dhe intrasigjenca, me të cilën ato rezistojnë, janë tregues të nivelit të formimit qytetar dhe papjekurisë së shoqërisë civile.

Shekulli ynë, po jep çdo ditë fakte, që vërtetojnë këtë tezë. Në ditët tona, ne jemi dëshmitarë okularë, të situatave konfliktuale politike e sociale, të cilat janë bërë tepër agresive dhe shqetësuese. Ato po zhvillohen në zona e rajone të globit, midis popujve dhe brenda tyre, në të cilët fondamenti civil për shkaqe historike është i brishtë. Si rrjedhim, popujt me formim të dobët civil, janë të mundshëm për t’u manipuluar dhe instrumentalizuar, për qëllimet e mbrapshta të politikës, së brendshme, rajonale e ndërkombëtare.

Politika spekulon me faktin, që një popull sa më naiv të jetë, aq më lehtësisht është i manipulueshëm. Në ditët tona, fanatizmi, fondamentalizmi, ushqimi në ekstrem i ndjenjave nacionale të madhështisë, krenarisë së paligjshme dhe megalomanisë, mungesa e tolerancës, mungesa e konsensusit qytetar, ndjenja e dobët qytetare, vazhdon të prodhojë konflikte, luftë e gjakderdhje të përmasave të mëdha, në shumë rajone të globit, të cilat, janë jo vetëm të varfëra, por edhe me standarde të ulëta të zhvillimit qytetar. Histeria kolektive e shfaqur kohët e fundit në formën e fondamentalizmit, fanatizmit nacional e fetar, e njerëzve të manipuluar dhe të indoktrinuar për motive banale etnike, fetare, racore, politike, është bërë tepër shqetësues për stabilitetin global të shoqërisë tonë. Histeria kolektive, konfliktet dhe turbullirat sociale janë shumë e rrezikshme, sepse, pasi turmat e afektuara, politikisht, ideologjikisht, me sindroma të caktuara kolektive, nuk njohin dhe nuk respektojnë asnjë koncept të kompromisit dhe tolerancës si mjet për zgjidhjen e konfliktit.

Fuqia e intolerancës është e paparashikuar, sepse në ditët tona, në disa rajone e popuj ajo është bërë sindromë sociale, që po përhapet shpejt. “Kur qytetari bëhet turmë, ka thënë shkrimtari Stefan Cvajg, rreziku është shumë i madh!”.

Kultivimi i ndjenjës së urrejtjes etnike, fetare, politike, po pengon shoqërinë e sotme të zhvillojë midis njerëzve, ndjenja të komunikimit harmonik, të veprimit të arsyeshëm tolerant, të simpatisë për njerëzit, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, racore, pasurore, politike etj. Ndjenja e simpatisë për njeriun, toleranca, shpirti i marrëveshjes së arsyeshme dhe zgjidhjet konsensuale të konfliktit, janë tiparet që i duhen jetës sonë bashkëkohore.

Midis qytetarit dhe fanatikut…

Në shoqërinë shqiptare ka shumë tregues të fortë, që të pengojnë të besosh se kurrë do të bëhet toleranca, pjesë e idealit tonë kombëtar, moral dhe njerëzor, tipar i qëndrueshëm, i sjelljes kombetare dhe i personalitetit të çdo njeriu. Ne vijmë nga një shoqëri deterministe, nga pikëpamja sociale, në të cilën toleranca në ide, mendim, sjellje, politikë e moral ka qenë “zero”. Shoqëria e kuadratuar në korniza të ngurta politike, morale, ateiste ishte mekanizmi që kultivoi në shoqëri, njeriun automat, të ngurtë, të egër, konfliktual. Pikërisht kjo klimë jo tolerante, kjo mënyrë jetese deterministe, ka ende recidiva, në kohën tonë të re, që e bën të vështirë dallimin midis njeriut fanatik dhe atij liberal, midis qytetarit dhe jo qytetarit. E kaluara jonë historike, megalomania politike false, jeta patriarkale, dominimi maskilist, ndërtimi i shoqërisë mbi principin jo të toleancës, por të luftës midis klasave, mbajtja në konflikt politik 50 vjeçar të një populli të tërë, në gjendje të “luftës së gjysmës, kundër gjysmës tjetër”, ka sjellë deformime strukturore në personalitetin e njeriut, dhe të shoqërisë shqiptare. Kjo mënyrë jetese, modelimi politik i njeriut robot, i gatshëm për konflikt, e ka dëmtuar konceptin dhe thelbin e tolerancës qytetare si “gadishmëri për të respektuar idealet e njerëzve të tjerë, njëlloj sikur të ishin të tuat”.

Ne kemi pësuar dëmtime, në thelbin e strukturës sonë humane edhe për një shkak tjetër, i cili është i lidhur me përfytyrimin primitiv të idealeve të ndryshme, koncept me të cilin është spekuluar rëndë dhe është realizuar, një eksperiment makabër me njerëzit tanë në epokën e komunizmit.

Njeriu fanatik, injorant, i indokrtinuar, i përpunuar dhe i vënë në dispozicion të ideve si kavie eksperimentale, solli frymën e njeriut “parimor”, “intrasigjent”, “konsekuent”, i cili ishte kundër qëndrimeve “mikroborgjeze”, “oportuniste”, “indiferente”, “liberale”, sjelljes borgjeze etj. Asnjë tolerancë nuk ishte e lejueshme politikisht dhe as e pranuar moralisht, në shoqërinë e militarizuar ideologjikisht. Padyshim, koncepti i njeriut të fanatizuar politikisht, i obseduar pas idesë së tij, partisë së tij, moralit dhe bindjeve të tij personale, i ndeshim të forta edhe në ditët tona. Shfaqjet e qëndrueshme kokëforte, intolerante, intrasigjente, që gjenerojnë konflikt, mungesa e kompromisit, konsensusit etj., ndeshen tepër shpesh, në shoqërinë tonë të lirë, në të cilën, për shkak të kaosit të vlerave, të mungesës së traditës qytetëruese, këto fenomene kanë tendencë të jenë akoma më virulente.

Shikoni konfliktet e përditëshme të njerëzve me përkatësi të ndryshme partiake, për t’u kuptuar sa shumë fanatikë ka në partitë tona, të cilët nuk e vlerësojnë njeriun tjetër, qytetarin shqiptar, që ka ide, bindje, interesa apo përkatësi partiake, ndryshe nga ai. Padyshim, në jetë njeriu ka shumë ideale shoqërore, për të cilat lufton ti realizojë. Por qytetari i kohës sonë moderne, duhet të jetë tolerant, duke respektuar bindjen, sjelljen morale të të tjerëve, njëlloj si idealet dhe bindjet e tij, pavarësisht se ai mund të mos jetë dakord me to. Çdo njeri në shoqërinë tonë pluraliste është i lirë, të ketë bindjet e veta politike dhe morale dhe ky është thelbi i lirisë dhe e drejtë e tij. Por, njëkohësisht, nuk ka të drejtë të pengojë të tjerët që të kenë bindjet dhe idealet e tyre.

Intoleranti dhe fanatiku nuk pranojnë argumentin në debat. Këtë tipar negativ e kultivon dhe e forcon politika jonë e keqe, e cila ende nuk e ka të qartë për vete, se cili është kufiri i luftës politike, por dhe tolerancës dhe kompromisit. Politika jonë ka 15 vjet, qe shërben për keqdeformimin karakterial, moral të shqiptarëve, sepse ajo e çmon më shumë militantët e fortë fanatikë e intolerantë, dhe më pak qytetarët me bindje të ndryshme, por tolerantë e qytetare.

Shoqëria e lirë, tolerante në të cilën respektohen të gjithë njerëzit, bindjet dhe qëndrimet e tyre morale dhe është shoqëria që krijon hapësirë për të gjithë në “mbretërinë e synimeve ", në të cilën njerëzit janë të lirë të realizojnë idealet dhe synimet e tyre, por pa penguar të tjerët të tjerët të realizojnë lirisht të vetat. Një shoqëri moderne me ideale, synime qëllime të ndryshme dhe të kundërta, e cila nuk kultivon qëndrimin tolerant midis njerëzve, në marrëdhëniet reciproke, do të ishte një "xhungël e vërtetë".

Intoleranca, agresiviteti, konflikti, janë armët e njeriut fanatik. Për hir të së vërtetës, në të gjitha partitë, për shkak të karakterit të fortë dikotomik e bipolar të politikës sonë, sidomos në partitë e mëdha, ka një “bërthamë fanatikësh”, që shfaqen publikisht si skifterët e tyre. Procesi i zbutjes së klimës politike, i marrëdhënieve qytetare, është hapi i parë i zbutjes së fanatizmit politik, si proces i qytetërimit, i cili, sipas sociologëve, do të kalojë në disa etapa. Në shoqërinë shqiptare, procesi i ndërtimit të tolerancës si mënyrë e qëndrueshme e tipike e marrëdhënieve, ka nevojë së pari për një proces të sqarimit moral të njerëzve, për të kuptuar në thelb, pse duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Këtij synimi të madh të shoqërisë civile, duhet t’i shërbejnë politika, filozofët, sociologët, mjetet e komunikimit masiv, arti, letërsia etj. Të gjitha këto, do të ndikojnë në formimin e të menduarit moral në shoqërinë tonë, duke e formatuar atë si sjellje shoqërore tolerante, që ka në bazë të saj tolerancën, kompromisin dhe konsensusin.

Sociologët e kohës sonë, thonë se kurdoherë në gjirin e shoqërisë do të ketë fanatikë. E vetmja mënyrë e kultivimit qytetar të tyre, i vetmi mjet për t’i shkëputur fanatikët, të çdo natyre qofshin, nga fanatizmi i tyre është toleranca. “Njerëzit janë ata që janë, dhe bota është ajo që është”, ka thënë filozofi dhe politologu i shquar kohës sonë, Janos Kis.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›