Cana dëmtohet, asist i Dallkut te Vorskla
Lorik Cana nuk ka zbritur në fushë në takimin që Sandërlendi fitoi 3-1 kundër Totenhamit në “Stadiumin e Dritës”. Mesfushori shqiptar është hequr nga procesverbali i ndeshjes vetëm në sekondat e fundit, duke u zëvendësuar me mbrojtësin e ri, Majkëll Lidli. Shkak është bërë një dëmtim i kapitenit të “maceve të zeza”, gjatë nxehjes përpara sfidës. Ndërkohë, Armend Dallku shkëlqen në Vyscha Liga-n ukrainase. Mbrojtësi kuqezi, së bashku me Ahmet Januzin, kanë luajtur si titullarë në takimin që Vorskla Poltava fitoi me rezultatin 3-0 me Ilitçivets Mariupolin. Në minutën e 18, Dallku dha asistin e golit të parë të realizuar nga Jarmash. Edhe pse ka qëndruar për 84 minuta në fushë, Januzi nuk ka arritur të gjejë rrugën e golit, ndërsa kuqeziu tjetër, Debatik Curri, mungonte për shkak kartonësh.
#