Cana, hera e 12-të si Lojtari më i Mirë
Sandërlend
Lorik Cana është shpallur “Lojtari më i Mirë” pas sondazhit të zakonshëm që faqja e Sandërlendit organizon pas çdo ndeshjeje që luan skuadra. Edhe për takimin e luajtur në FA Cup kundër Portsmuthit, kapiteni i “maceve të zeza” ka marrë më shumë vota nga tifozët, të cilët e kanë vlerësuar për lojën e tij luftarake në mesin e fushës. Pas paraqitjes në takimin ku Sandërlendi humbi 2-1, Cana grumbulloi 36.9 për qind të preferencave, duke u renditur përpara sulmuesit Darren Bent (34.5%), i cili ishte autori i golit të vetëm në “Fraton Park”. Pas votimit për ndeshjen e datës 23 janar, Cana e ka rritur diferencën nga shokët e skuadrës në anketën “Lojtari më i Mirë”. Në 26 ndeshje që skuadra e Stiv Brus ka zhvilluar në kampionat dhe kupa, mesfushori kuqezi ka triumfuar plot 12 herë.
#