E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana kërkon të kthehet në mesfushë

Në katër ndeshjet e fundit të Olimpik Marsejës, Lorik Cana është aktivizuar si mbrojtës qendre. Kjo zgjidhje ka qenë e detyruar për trajnerin Gerets, pas mungesave të shumta në këtë repart, por kapiteni i skuadrës kërkon të kthehet në rolin e tij natyral, atë të mesfushorit shkatërrues.

Dëmtimet e Roland Zubar dhe Zhulien Rodriguez dhe pasiguria e paraqitur nga Elamin Erbat, bënë që Cana (ashtu si ndodh shpesh edhe në Kombëtare) të improvizohet mbrojtës.

Megjithatë, 25-vjeçari shpreson të rikthehet sa më shpejt në pozicionin ku mund të jap maksimumin. “Aktivizimi im në mbrojtje është i përkohshëm dhe erdhi pas vendimit të marrë me trajnerin”, tha lojtari kuqezi.

“Kanë munguar Roland (Zubar), për shkak të problemeve me shëndetin dhe Zhulien (Rodriguez), i cili pritet të rikthehet në fushë”. Mediat e ndryshme franceze kujtojnë se me Lorik Canën, të aktivizuar në mesfushë, Marseja pëson më pak gola, ndërkohë që këmbëngulin se shqiptari mund të jetë mërzitur nga roli në mbrojtje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›