E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mavraj-Kombëtare, në mes qëndron Gjermania

Mërgim Mavraj dhe Federata Shqiptare e Futbollit janë përfshirë ditët e fundit në një lojë fjalësh, ku secila palë ia hedh fajin njëra-tjetrës. Njëra palë akuzon, tjetra mohon dhe në fund rezultati është i thjeshtë: shumë zhurmë për asgjë.

Akuza e Mavrajt

Mbrojtësi 22-vjeçar përflitet prej ditësh si një nga kandidatët më të mundshëm për t’u afruar në Kombëtaren e Ari Hanit. Por, nëpërmjet një deklarate të bërë publike në faqet e të përditshmes kosovare “Koha Ditore”, ai do të akuzonte Federatën Shqiptare të Futbollit se po ushtron presion ndaj tij, për ta detyruar të vendosë sa më shpejt që të jetë e mundur (“brenda disa orëve”), nëse dëshiron apo jo të luajë me Kombëtaren e Shqipërisë.

“Menaxheri bisedoi me një zyrtar të FSHF-së, i cili e pyeti nëse kam vendosur apo jo të luaj për Shqipërinë. Menaxheri i bëri të qartë qëndrimin tim, duke thënë shprehimisht se unë, pa kontaktuar vetë Ari Hanin nuk mund të vendos për këtë çështje.Më lanë shumë pak kohë për të menduar dhe unë vendosa të mos luaj për Shqipërinë”, ka thënë Mavraj.

Kërkesa e Mavrajt për një ftesë vetëm nga trajneri holandez i kuqezinjve, është i lidhur me një fakt interesant, pasi ai pretendon se është “djegur” më parë nga një ftesë e një zyrtari të FSHF-së në kohën e trajnerit Oto Bariç: federata e kërkoi, ndërsa Bariçi nuk e grumbulloi kurrë.

Mohimi i FSHF-së

Menjëherë pas kësaj deklarate të qendërmbrojtësit, i cili që nga korriku i vitit të kaluar është pjesë e ekipit të Bundesligës gjermane, Bokumin, ka ardhur edhe reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, nëpërmjet zyrës së saj për shtyp.

Ata e kanë hedhur totalisht poshtë mundësinë e ushtrimit të presionit ndaj futbollistit nga ana e ndonjërit prej zyrtarëve të federatës, më synimin që ta detyrojë lojtarin të bëjë një zgjedhje të shpejtë, ashtu sikurse citohet nga vetë Mavraj.

Sipas FSHF-së, është e vërtetë që mbrojtësi është një nga kandidatët për Kombëtaren dhe për këtë arsye ai është kontaktuar. Por, megjithatë, pritet ardhja e trajnerit Ari Han këtë fundjavë, pasi ai do të japë sqarime të mëtejshme rreth kësaj çështjeje.

Strategjia

Megjithatë, edhe pse nuk thuhet zyrtarisht, strategjia e Mavrajt është bërë e lexueshme për të gjithë. Mbrojtësi, i cili ka në xhepin e tij dy pasaporta (atë gjermane dha shqiptare), ka prej rreth dy vitesh që po mundohet të luajë me “dy porta”.

Do të ishte e vështirë të gjejë një futbollist të ri, i cili do të refuzonte Kombëtaren e vendit të tij. Por rasti në fjalë ka një specifikë të ndryshme.

Në shkurt të 2007-ës, ai është grumbulluar vetëm një herë në Kombëtaren U-21 të Gjermanisë për ndeshjen miqësore me Italinë 0-0, ku u zëvendësua në minutën e 67.

Mavraj, i cili duket se preferencë të parë ka Gjermaninë, e mban me FSHF “tërhiq e mos e këput”, me qëllim që të fitojë kohë, pasi, në rast se nuk do të grumbullohet më në Gjermaninë U-21, ai nuk do të kishte dëshirë të humbiste shansit për të luajtur me Kombëtaren tonë.  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›