E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë lëvizje

Të mërkurën ka përfunduar mini-afati kalimtar i basketbollistëve për TechnoMarket Superligën e Kosovës në basketboll. Gjatë këtij mini-afati kalimtar, në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), janë bërë gjashtë kërkesa për transferime të basketbollistëve dhe dy kërkesa të tjera për huazime.

Skuadra nga Prizreni, Big Brother Bashkimi, ka bërë kërkesë në FBK për ta regjistruar përforcimin e bërë - Bexhet Demollin, i cili së fundmi ka luajtur me Dritën e Gjilanit. Portokallinjtë, po ashtu kanë bërë kërkesë në FBK për ta regjistruar edhe përforcimin tjetër, Mirza Ahmedbashiq, si basketbollist i lirë.

Ndërsa, edhe Peja i ka bërë dy kërkesa të tilla në FBK për t’i regjistruar dy përforcimet e saj. Bëhet fjalë për Mustafë Merovcin dhe Sabedin Ebibin, të cilët deri tash i kanë mbrojtur ngjyrat e Kolegjit EuroSport.

Përforcimi më bombastik i këtij mini-afati kalimtar duket të jetë ai i Sigal Prishtinës, skuadër kjo që e riktheu Blerim Mazrekun, vetëm pas një gjysmësezoni sa qëndroi te Big Brother Bashkimi.

Kurse, Kolegji EuroSport ka bërë kërkesë në FBK për ta regjistruar përforcimin e vet, Burim Aliun, i cili deri më tani ka luajtur me Dritën e Gjilanit. Po ashtu, Kolegji EuroSport i ka transferuar nga Sigal Prishtina, në formë huazimi, edhe dy basketbollistë të tjerë. Fjala është për Fisnik Rugovën dhe Enver Dilin.

“Të gjitha kërkesat pas shqyrtimit të Komisionit për Kalim dhe Regjistrim, janë në përputhje me rregulloren, fuqizohen në tërësi dhe kanë të drejtë loje në xhiron e pesëmbëdhjetë, me kryerjen e pagesës së taksës në shumë prej 50 eurosh në xhirollogarinë e FBK-së”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga FBK-ja.

Ndërkohë, klubet e elitës së basketbollit kosovar kanë të drejtë të përforcohen me lojtarë të tjerë deri tri javë para përfundimit të pjesës së rregullt të kampionatit, por pagesa e taksës do të kushtojë 300 euro.

Transferimet e mini-afatit kalimtar të janarit
Mustafë Merovci nga Kolegji EuroSport në Pejë
Sabedin Ebibi nga Kolegji EuroSport në Pejë
Bexhet Demolli nga Drita në Big Brother Bashkimi
Mirza Ahmedbashiq - lojtar i lirë ka kaluar në Big Brother Bashkimi
Blerim Mazreku nga Big Brother Bashkimi në Sigal Prishtinë

Burim Aliu nga Drita në Kolegjin EuroSport
Huazimet
Enver Dili nga Sigal Prishtina në Kolegjin EuroSport
Fisnik Rugova nga Sigal Prishtina në Kolegjin EuroSport

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›