Cana, më i miri edhe me Junajtid
Lorik Cana vazhdon të dominojë sondazhin e organizuar nga faqja zyrtare e Sandërlendit në internet, ku tifozët bardhekuq votojnë për lojtarin më të mirë të ndeshjeve. Mesfushori shqiptar është përzgjedhur si futbollisti që bëri diferencën edhe për sfidën kundër Mançester Junajtid, ku të besuarit e Stiv Brus barazuan 2:2 në "Olld Traford". Cana mori 36.3 për qind të votave të më shumë se dymijë e dyqind tifozëve. 26-vjeçari u cilësua si një prej lojtarëve vendimtarë në pikën e marrë në fushën e vështirë të kampionëve të Anglisë. I dyti në sondazhin e kësaj sfide u klasifikua Andi Reid, me 14 për qind të votave, ndërsa në vendin e tretë ishte Majkëll Tërner me 10.6 për qind. Kjo është hera e gjashtë në dhjetë ndeshje të luajtura deri më tani, që Lorik Cana vlerësohet si "Lojtari më i Mirë" i Sandërlendit. Më parë kapiteni i "maceve të zeza" ishte vlerësuar edhe për paraqitjet e mira në sfidat e Premierligës kundër Çelsit, Bllekbërnit, Stok Sitit, Hull Sitit dhe Volverhemptonit.
e. k.
e. k.