E Diel, 1 Nëntor 2026

"Përkrah Memellit, mposhtim Dinamon"

Me dëmtimin e Migen Memellit dhe largimin e Daniel Xhafajt, në këto javë të para të kampionatit, pesha e sulmit të Tiranës ra mbi Arbër Abilaliajn. Por, në derbin kundër kryesuesve të Dinamos, me 99 për qind, bardheblutë do të mbështeten edhe te shërbimet e Memellit, që po përgatitet për të luajtur ndeshjen e parë sezonale. Një lajm i mirë për Abilaliajn, i cili beson se dyshja me golashënuesin e edicionit të kaluar do të funksionojë. "Besoj se së bashku me Memellin do ta mposhtim Dinamon. Ai ka deklaruar se shënon dy-tre gola në ndeshje? Shpresoj të ndodhë kështu. Nuk i trembem konkurrencës, ajo thjesht më motivon që të punoj më shumë dhe të jap gjithmonë maksimumin", deklaroi sulmuesi vlonjat. Duke folur për largimin e trajnerit Lonçareviç dhe zhvillimet e tjera në radhët e kampionëve, ai shtoi: "Jemi të motivuar dhe kërkojmë të dalim nga situata ku ndodhemi. Ardhjen e trajnerit të ri, i cili do të jetë nga familja bardheblu, e shoh si pozitive".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›