Cana nuk ka më sekrete: Në qershor iki nga Marseja
Lorik Cana nuk ka më sekrete. Ai ka pohuar se do të largohet përfundimisht nga Marseja në fund të këtij sezoni dhe destinacioni më i mundshëm do të jetë Anglia ose Gjermania. Shqiptari rrëfen se mungesa e trofeve e shtyn të zgjedhë përfundimisht rrugën e largimit te një skuadër tjetër. Gjithçka Cana e ka bërë të ditur në një intervistë të dhënë për "maxifoot.fr" 24 orë para sfidës së mbrëmjes së sotme ndaj PSG-së në "Parc de Princes". "Kam një kontratë, e cila përfundon në fund të sezonit 2011-2012. Por, në fakt, nuk kam ndërmend të rri kaq gjatë te kjo skuadër. Kam dëshirë të eksploroj kampionate të tjera në Angli, ose Gjermani, ku të kem mundësi të fitoj edhe tituj. Në korrik mbush 26 vjeç, moshë kjo ideale për të nisur një karrierë të re. Por dua të theksoj se, nuk jam nën presion për ta lënë këtë skuadër. Këtu ndihem si në shtëpinë time dhe kam kaluar momente vërtet të bukura, por duhet ta pranoj: më mungon një titull kampion", ka pohuar Lorik Cana. Zv/kapiteni i kombëtares shqiptare u transferua te Marseja në verën e 2005-ës, pasi kishte luajtur për tri sezone në radhët e PSG-së. Asokohe kalimi i tij te Marseja bëri shumë bujë, kjo edhe për faktin se mbi këtë transferim hetoi edhe prokuroria franceze lidhur me një shumë parash, e cila kaloi në një depozitë bankare në emër të babait të Lorikut, Agim Cana. Por, pas tre vitesh, hetimet u mbyllën në 2008-ën. I rikthyer sërish në Paris për ndeshjen e mbrëmjes së sotme, Cana pohon se e ndien veten si pjesë të PSG-së, madje edhe si kapiten i kësaj skuadre. "Nëse do të kisha qëndruar te PSG-ja me siguri që sot do të isha kapiten i kësaj skuadre. Kam pasur gjithnjë në karakter dëshirën për të luajtur rolin e një lideri dhe përderisa ia arrita ta bëj në Marsejë, besoj se te Parisi do ta kisha pasur edhe më të lehtë", përfundoi mesfushori shqiptar, Lorik Cana.