Cana pezullohet, por do të luajë ndaj Lionit
Olimpik Marseja fitoi 2-0 të mërkurën në fushën e Nisës, por për ndeshjen e javës së fundit të kampionatit francez ndaj Renesë do të duhet të bëjë llogaritë pa kapitenin e saj, Lorik Cana. Mesfushori shqiptar është pezulluar dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Deshamps. Me kartonin e verdhë në takimin ndaj Nisës, 25-vjeçari ka plotësuar numrin e kartonëve, që e skualifikojnë automatikisht. Ndeshja e radhës për Marsejën është kundër Lionit, por, sipas informacioneve nga federata franceze, Cana mund ta shlyejë pezullimin e tij në ndeshjen ndaj Renesë, pasi vetëm kartonët e kuq kanë një efekt të menjëhershëm skualifikimi. Dje, shqiptari është prononcuar për duelin për titullin kampion mes Marsejës dhe Bordosë, ku theksoi se nuk u beson llogarive: "Lion është një kundërshtar i nivelit të lartë, një ekip i organizuar mirë. Janë ende në garë dhe do të jenë tepër të motivuar. Do të jetë një sfidë e fortë, edhe pse shanset janë në favorin tonë".