Tare: Kupa e Italisë, trofe i rëndësishëm
Igli Tare nuk arrin ta fshehë euforinë te Lacio, pas triumfit në finalen e Kupës së Italisë përballë Sampdorias. Duke folur për trofeun e dytë më të rëndësishëm përtej Adriatikut, drejtori sportiv i bardhekaltërve deklaroi se kjo ishte një arritje e rëndësishme e bardhekaltërve. "Është një trofe shumë i rëndësishëm për ecurinë e këtij klubi. Dëshironim ta fitonim me çdo kusht, edhe për shkak të historisë së këtyre viteve të fundit. Triumfi na dhuroi shumë gëzim", tha Tare. Ai vlerësoi pjesëmarrjen në Europa League, ndërkohë që konfirmoi se Lacio nuk do të tolerojë në kampionat. "Edhe pse e arritëm objektivin tonë kryesor, do ta respektojmë kampionatin. Janë të shumta skuadrat që luftojnë për të përmirësuar pozitat në klasifikimin e këtij sezoni. Udhëtojmë drejt Palermos me objektivin që të fitojmë tri pikët. Nuk është e lehtë, por do të tentojmë", përfundoi ish-sulmuesi shqiptar.