E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana, planifikoj të rikthehem në Marseille

Lorik Cana vazhdon të ketë nostalgji për klubin francez Olympique Marseillen, ku kaloi plot katër vite. Mesfushori kosovar i Galatasarayt vizitoi qytetin, ku ende është idhull i tifozëve, ndersa nuk ka përjashtuar mundësinë që një ditë sërish të rikthehet në stadiumin Velodrome.

“Kam kaluar vite të lumtura këtu, të cilat i kujtoj edhe sot dhe do të dëshiroja të përsëriteshin. E kam bërë punën time këtu duke u munduar që ta ngrej klubin në nivele të larta. Pas disa vitesh, kur të jem më i vjetër, mund të kthehem këtu, pse jo? E kam familjen këtu, por më parë dëshiroj të zbuloj gjëra të tjera në futboll”, ka thënë 27 vjeçari.

Përfaqësuesi shqiptar e la Francën për të zbarkuar në Premierligë, më saktësisht te Sunderland, në verën e vitit 2009. Por, ai e la Anglinë vetëm pas një viti për t`u transferuar te gjiganti turk, Galatasaray.

Edhe pse po kalon nëpër një sezon të vështirë me gjigantin turk, ish mesfushori i PSG`së thotë se eksperienca e tij në Stamboll është e mirë.

Mediat e huaja shkruajnë vazhdimisht se Cana në fund të sezonit do të largohet nga klubi turk. Destinacioni i mundshëm i 27 vjeçarit mund të jetë Serie A, ku e pret Lazio. Por, përveç saj, thuhet se Canën e dëshiron edhe Milani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›