Chelsea, plot objektiva

Chelsea pritet të jetë mbret i afatit kalimtar të verës. Siç shkruan tabloidi britanik The Sun, magnati rus Roman Abramovich është i gatshëm t’i shpenzojë 80 milionë funte (rreth 90 milionë euro) për sezonin e ardhshëm.
Pasi bleu dyshen Fernando Torres-David Luiz në janar, ky tabloid e ka publikuar listën e objektivave të tjerë të klubit londinez. I pari është ylli i Arsenalit, Cesc Fabregas, ndërsa nuk mbetet anash as rusi i këtij klubi, Andrey Arshavin.
Pastaj objektiv i ekipit të Carlo Ancelottit janë edhe Gareth Bale e Luka Modric (Tottenham), Wesley Sneijder (Inter), Thomas Muller (Bayern Munich), Gregory van der Wiel (Ajax), Adam Johnson (Manchester City), Matt Jarvis (Wolverhampton), Ashley Young (Aston Villa), Jack Rodwell e Marouane Fellaini (Everton).
Chelsea po lufton për titull të kampionit të Premierligës këtë sezon, i cili mund të vendoset në fundjavë, kur të luajë me Manchester United. Mirëpo, objektiv kryesor i Blues është Liga e Kampionëve, të cilën nuk e kanë fituar kurrë.