E Shtunë, 31 Tetor 2026

Schalke kërkon mrekullinë

Schalke do të tentojë ta përmbysë avantazhin e Manchester Unitedit në Old Trafford, për ta prekur finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë në histori. Në anën tjetër, ‘Djajtë e Kuq’ besojnë se do të jenë në finalen e Wembleyt, duke e përsëritur ndeshjen e javës së kaluar, kur krijuan kapital prej dy golash. Nga Express më 04 maj 2011 në ora 09:20

Schalke do të provojë ta bëjë të pamundurën për ta mposhtur Manchester Unitedin në ‘Old Trafford’ dhe për ta shkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në finale të Ligës së Kampionëve.

Në anën tjetër, ‘Djajtë e Kuq’, të cilët e fituan ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj klubit gjerman, janë në kërkim të finales së tretë në katër vjetët e fundit. Në vitin 2008, ata e mposhtën Chelsean në Moskë, kurse një vit më vonë u ndalën nga Barcelona në Romë.

Pas humbjes 1:0 nga Arsenali, menaxheri Sit Alex Ferguson kërkon nga lojtarët e tij që të jenë më syhapur të mërkurën mbrëma kundër Schalkes.

“Të mërkurën do ta zhvillojmë një ndeshje gjysmëfinale evropiane, e më pas do të jetë ndeshja e Premierligës të dielën me Chelsean. Do të jenë dy sfida vendimtare, kështu që jam i sigurt se gjërat do të shkojnë mirë për ne”, theksoi trajneri skocez.

Ai tregoi se skuadrës do t’i kthehet veterani Paul Scholes, por përmendi edhe sulmuesit Dimitar Berbatov e Michael Owen, të cilët janë të freskët dhe të gatshëm të shpërthejnë në çdo moment.

Schalke vuajti në ndeshjen e parë, por në fund shpëtoi me vetëm dy gola të pësuara falë pritjeve të shkëlqyeshme të portierit Manuel Neuer.
Klubi gjerman është i famshëm për stilin luftarak.

Trajneri Ralf Rangnick ua ka kujtuar lojtarëve të tij fitoren ndaj Interit me rezultat 5:2 në Itali. Ai kërkon nga ta që të mundohen ta përsërisin këtë paraqitje në Angli.

“Nevojitet një tjetër paraqitje si ajo ndaj Interit në ndeshjen e parë. Në taborin e Schalkes ekziston optimizmi, përkundër humbjes në ndeshjen e parë. Ndër të tjera, a ka ndonjë vend më të mirë se Teatri i Ëndrrave për ta imagjinuar një përmbysje?” theksoi trajneri gjerman.

Schalke shpreson ende që të shërohet mbrojtësi Benedikt Howedes, i cili ka udhëtuar në Manchester së bashku me skuadrën.

Befasisht, edhe sulmuesi holandez Klaas-Jan Huntelaar i është bashkuar skuadrës dhe mund të përfundojë në bankinë, pas lëndimit në gju që e kishte lënë jashtë fushës dy muaj.

Liga e Kampionëve

Gjysmëfinalja

E mërkurë
Manchester United-Schalke (2:0)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›