E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pret ftesë nga Hitzfeld

Admir Mehmedi ka rënë në radarin e selektorit Ottmar Hitzfeldit, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në kampionatin zviceran me skuadrën e Zurichut. Sulmuesi shqiptar beson se shumë shpejt do të marrë një ftesë për t’iu bashkuar përfaqësueses së Zvicrës. Nga Valdet Hasani më 04 maj 2011 në ora 12:05

Admir Mehmedi është më meritori që skuadra e Zurichut gjendet në vendin e parë në elitën e futbollit zviceran (Axpo Super League), duke e lënë prapa kampionin aktual Basel.

Golat dhe paraqitjet e mira të sulmuesit shqiptar nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, i cili ka gjasa të mëdha që ta ftojë 20 vjeçarin në ekipin helvetik.

Anëtari i përfaqësueses U21 të Zvicrës ende nuk është kontaktuar nga trajneri gjerman, por beson se shumë shpejt mund të marrë një ftesë, nëse vazhdon të tregojë lojëra të mira me skuadrën e Zurichut.

“Ottmar Hitzfeld nuk më ka telefonuar ende, por në disa intervista më ka përmendur. Por, nëse vazhdoj kështu si deri tash, besoj se do më ftojë në ekipin A të Zvicrës. Nëse marr ftesë, do të jetë shumë mirë”, ka thënë Mehmedi për Express.

Përveç që po shkëlqen në kampionatin zviceran, Mehmedi beson se edhe pensionimi i dy sulmuesve kryesorë të ekipit helvetik , Frei e Streller, mund t’ia hapë dyert që bëhet pjesë e Zvicrës.

Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë Mehmedi do të bëhet shqiptari i katërtë në përfaqësuesen zvicerane, pas Valon Behramit, Blerim Xhemajlit, Xherdan Shaqirit dhe Albert Bunjakut.

Beson në titull

20 vjeçari me prejardhje nga Gostivari i Maqedonisë ka realizuar tetë gola këtë sezon në kampionat dhe katra në Kupën e Zvicrës. Por, goli i shënuar të dielën kundër Bellinzonas ishte shumë i rëndësishëm deri më tani, pasi me atë fitore Zurich doli në vendin e parë.

Zurich ka tubuar 64 pikë, dy më shumë sesa kampioni aktual i Zvicrës, Basel, i cili humbi kreun pas humbjes nga Sion (3:0) të dielën. Kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në përfundim të sezonit, Mehmedi beson në titull.

“Pas një fillimi të dobët, kemi pasur një vazhdimësi të mirë në pjesën e dytë të kampionatit. Nëse e mbajmë këtë ritëm, besoj se do shpallemi kampion”, ka deklaruar 20 vjeçari.

Shqiptari me pasaportë zvicerane me klubin nga stadiumi Letzigrund ka kontratë deri në verë të vitit 2013. Mirëpo, sulmuesi shqiptar mund të transferohet te ndonjë klub më i madh gjatë verës.

“Deri më tani nuk kam ndonjë ofertë konkrete, por do të shohim gjatë verës se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar Mehmedi i cili ka veshur edhe fanellën e dy klubeve tjera zvicerane, Bellinzona dhe Winterthur.

Mehmedi në elitën e futbollit zviceran ka debutuar në vitin 2007 me skuadrën e Zurichut, me të cilin klub ka zhvilluar mbi 50 ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›