Planifikon të rikthehet në Marseille

Lorik Cana vazhdon të ketë nostalgji për klubin francez Olympique Marseillen, ku kaloi plot katër vite. Mesfushori kosovar i Galatasarayt vizitoi qytetin, ku ende është idhull i tifozëve, derisa nuk ka përjashtuar mundësinë që një ditë sërish të rikthehet në stadiumin Velodrome.
“Kam kaluar vite të lumtura këtu, të cilat i kujtoj edhe sot dhe do të dëshiroja të përsëriteshin. E kam bërë punën time këtu duke u munduar që ta ngriti klubin në nivele të larta. Pas disa vitesh, kur të jem më i vjetër, mund të kthehem këtu, pse jo? E kam familjen këtu, por më parë dëshiroj të zbuloj gjëra të tjera në futboll”, ka thënë 27 vjeçari për ueb faqen footmercato.net.
Përfaqësuesi shqiptar e la Francën për të zbarkuar në Premierligë, më saktësisht te Sunderland, në verën e vitit 2009. Mirëpo, ai e la Anglinë vetëm pas një viti për t’u transferuar te gjiganti turk, Galatasaray.
Edhe pse po kalon nëpër një sezon të vështirë me gjigantin turk, ish mesfushori i PSG’së thotë se eksperienca e tij në Stamboll është e mirë.
“Është një vit i vështirë për ne, me shumë probleme, jo sportive. Është një zjarr që ma kujton Marseillen. Në Turqi po kaloj mirë, por disa probleme e kanë zbritur klubin poshtë. Mund ta pranoj se është një eksperiencë e mirë, pasi që jam pjekur si njeri dhe si futbollist”, theksoi reprezentuesi i Shqipërisë.
Mediat e huaja shkruajnë vazhdimisht se Cana në fund të sezonit do të largohet nga klubi turk. Destinacioni i mundshëm i 27 vjeçarit mund të jetë Serie A, ku e pret Lazio. Por, përveç lacialëve thuhet se Canën e dëshiron edhe Milani.
Mirëpo, interesim për kosovarin kanë shprehur edhe klube nga Bundesliga e Premierliga si: Tottenham, Everton, Fulham, Schalke 04, Hamburg dhe Stuttgart.