E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vëzhguan 20 menaxherë

Agon Mehmeti është bërë objektiv i shumë skuadrave evropiane. Sulmuesi kosovar është vëzhguar nga 20 menaxherë në ndeshjen ndërmjet Malmos dhe IFK Gothenburgut. Megjithëkëtë, drejtuesit e kampionit të Suedisë shpresojnë që ta vazhdojnë kontratën me 21 vjeçarin. Nga Express më 04 maj 2011 në ora 12:04

Pas paraqitjeve të mira në elitën e futbollit suedez me skuadrën e Malmos, lista e klubeve të internuara për Agon Mehmetin vazhdon të rritet. Sipas medieve suedeze, sulmuesi kosovar është bërë objektiv serioz i shumë klubeve evropiane

Këtë e vërteton edhe fakti se në ndeshjen kampionale të së hënës kundër IFK Gothenburg, sulmuesi i Malmos është vëzhguar nga 20 menaxherë të huaj. Lajmin e ka konfirmuar drejtori sportiv i Malmos, Per Agren.

“Në tribunë kanë qenë të pranishëm rreth 20 menaxherë. Numri i skautëve ishte shumë i madh, sa që nuk dinim se ku t’ua bënim vendin”, tha ai për të përditshmen suedeze sydsvenskan.se.

Natyrisht, Mehmeti nuk ishte objektivi i vetëm i këtyre menaxherëve, të cilët po studiojnë edhe lojtarë të tjerë interesantë të Malmos. Po ashtu, kjo ueb faqe shkruan se Malmo i ka intensifikuar bisedimet me sulmuesin kosovar për vazhdimin e kontratës.

Klubi suedez është i vetëdijshëm se 21 vjeçari mund të largohet në një të ardhme të afërt nga Suedia, kështu që nuk dëshiron ta lëshojë të ikën pa përfituar dëmshpërblim.

Menaxheri i Mehmetit po ashtu ishte i pranishëm në stadium. Ai po bisedon prej një kohe me udhëheqësit e Malmos, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Kampioni suedez shpreson që çdo gjë të zgjidhet brenda pak ditësh.

Edhe vetë Mehmeti javën e kaluar e ka pranuar që ka oferta nga klube të ndryshme evropiane. Ai po ashtu ka thënë se po vazhdon negociatat që të vazhdojë kontratën me Malmon, e cila skadon në fund të vitit 2011.

Mehmeti ka shpërthyer sezonin e kaluar, duke e ndihmuar Malmon të shpallet kampion i Suedisë. Ai e ka nisur mirë edhe këtë sezon, duke kontribuuar me gola për ekipin e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›