Cana shënon gol të mrekullueshëm për Marseille (video)

Lorik Cana ka filluar të ambientohet edhe me golin tashmë. Mesfushori shkatërrues i kombëares shqiptare ka shënuar për skuadrën e tij në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Francës përballë amatorëve të Beauvais, ndeshje kjo e fituar nga Marseille me rezultatin 0-2 (goli tjetër i shënuar nga Cisse). Shqiptari ka shënuar në minutën e 23-të të ndeshjes golin e parë për skuadrën e tij në mënyrë akrobatike duke realizuar një gjuajtje "gërshërë". Padyshim se ky gol është më i bukuri në karrierën e kapitenit shqiptar të skuadrës së Marseille dhe ai nuk ka mundur pa thënë disa fjalë.
"Mora vendimin për të gjuajtur ashtu topin në atë moment. Isha me fat që ajo ndodhi, por kjo është një gjë e mirë për skuadrën. Kur isha i vogël e kisha zakon të shënoja, por më pas më është dashur të tërhiqem pasi nuk kisha kualitetet e duhura për të luajtur në këtë pozicion në nivele të larta", ka thënë Cana për faqen zyrtare të Marseille pas ndeshjes.
Shikoni golin e mrekullueshëm të Lorik Canës në portën e Beauvais