Tirana në alarm, fushatë spastrimesh e largimesh

Nervozizëm. Pasiguri. Amulli. Kjo është situata në shtëpinë e 23-herë kampionëve. Humbja e shëmtuar me Vllazninë në Shkodër (4-1) solli jo pak shqetësim te kampionia në fuqi, Tirana. Dështimi erdhi pas 11 javësh pozitive dhe trajneri Astrit Hafizi po ndjen vështirësitë e një skuadre që luhatet jo pak në lojë gjatë 17 javëve të para (ndodhet në vendin e pestë në Superligë), por edhe në organizimin e grupit, kur tashmë te bardheblutë kanë nisur edhe largimet e para. Nëntë pikë larg Dinamos kryesuese nuk mund të tolerohen për një klub ku fliten që derdhen gati 1 milion dollarë. Ende pa përfunduar mirë ndeshjet e vitit 2007 te Tirana është folur shumë se do të ketë zhvillime të reja në merkaton e janarit. I pari që është larguar nga skuadra kampione në fuqi, Tirana është mbrojtësi Nevil Dede, i cili ka marrë një ofertë konkrete nga një skuadër e kampionatit kinez. Por ai nuk është i vetmi, pasi vetëm pak javë më parë skuadrës i janë pezulluar me një afat të gjatë kohor dy sulmuesit e saj Oriand Abazaj e Eldorado Merkoci. E ardhmja e tyre ende nuk dihet. Por nuk janë vetëm këta lojtarë, pasi të tjerë pritet të largohen ndërkohë që skuadra duket thuajse e shpërbërë. Tashmë situata është shumë e rëndë, ku edhe lojtarë të tjerë janë ende të paqartë se ku do të luajnë në pjesën e mbetur të sezonit. Trajneri Astrit Hafizi po e shikon të vështirë organizimin e grupit e për më tepër objektivin që mbetet ruajtja e titullit kampion. Kanë qenë donatorët ata që kanë dalë publikisht dhe kanë deklaruar se ata që nuk e meritojnë të jenë pjesë e skuadrës së trajnerit Hafizi, do të largohen menjëherë. Nga pista e afrimeve përmenden emrat e Andi Lilës dhe Renato Arapit, që të dy të Besës, por në skenë ka dalë edhe emri i ish-sulmuesit të Partizanit, Gerhard Progri.