E Hënë, 2 Nëntor 2026

Canaj: Papërgjegjshmëria "prodhoi" dhunë

19/04/2005  Shumë fjalë janë thënë këto ditë, rreth ngjarjeve që ndodhën në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Disa ia hedhin fajin gjykimit të gjyqtarit Likaj, të tjerë atmosferës së ndezur që përpara ndeshjes nga çështja “Doping”. Me mendimin e këtyre të fundit bashkohet edhe trajneri i Dinamos, Agim Canaj. Trajneri dinamovit e justifikon deri në një farë mase, irritimin e tifozërisë elbasanase, duke e vënë gishtin mbi shkrimet e papërgjegjshme të disa pjestarëve të medias sportive. “E kuptoj irritimin e elbasanasve. Elbasani ka krijuar një skuadër shumë të mirë, pas sakrificave të shumta. Njerëzit në qytete të tilla, me tradita në futboll janë të apasionuar ndaj këtij sporti dhe janë shumë të lidhur me skuadrën e tyre. Për ta është shumë e rëndë dhe e papranueshme që të akuzohet pa fakte skuadra dhe qyteti i tyre, ndaj edhe me të drejtë ndihen të ofenduar. Duhet pasur parasysh se jetojmë në një kohë të vështirë dhe njerëzit janë të stresuar dhe nuk duhen provokuar. Ndaj, iu bëj thirrje organeve të medias që të jenë më të përgjegjshëm në ato që shkruajnë, pasi nga një shkrim i papërgjegjshëm i një gazetari, e patë se çfarë ndodhi në Elbasan”. Por, nga ana tjetër Canaj ka përgëzuar qëndrimin sportiv dhe brenda rregullave të “Fair Play”, që kanë mbajtur drejtuesit e klubit të Elbasanit, si dhe lojtarët në fushë. Gjithashtu, ai theksoi se kjo është hera e fundit që flet për këtë ngjarje, pasi marrëdhëniet midis dy klubeve vazhdojnë të jenë të mira dhe nuk duhet të fokusohemi në një ngjarje episodike. Ndërsa për 11-metërshin e dhënë nga Likja, trajneri i bluve u shpreh se ishte një vendim i drejtë i gjyqtarit. “E kam parë disa herë në televizion, kam dëgjuar me vëmendje opinionet e specialistëve dhe tashmë, jam i bindur se ishte një penallti e pastër”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›