E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hito: Polemikat, ata që “ndezën” Elbasanin

19/04/2005  Shefi i Sektorit të Garave thekson se në fushë nuk ka patur probleme, ndërsa pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës

Në fakt, polemikat për shkak të një akuze (ende të pavërtetuar), të publikuar në shtyp nga Dinamo, pak para ndeshjes, por edhe kundërpërgjigjet e disa portokallinjve, kanë ndezur situatën, e cila ka përfunduar me shumë tension. Barrikada me koshat e mbeturinave dhe xhama automjetesh të thyer kanë karakterizuar bulevardin kryesor të qytetit të Elbasanit, i cili ishte mbushur nga tifozët e pakënaqur të verdhebluve, të cilët kishin humbur qetësinë. Por, një tjetër shkak i përfolur si “detonator” i tensionit ishte edhe momenti, kur arbitri Likja akordoi 11-metërshin në favor të Dinamos. Pas gjithë asaj që ndodhi të shtunën, tashmë pritet me shumë interes reagimi i FSHF-së, në ambientet e të cilës një gjë e tillë ka qenë dhe çështja e ditës. Sipas zëdhënësit për shtyp në organin më të lartë të futbollit në vendin tonë, deri në mesditë nuk ka patur asnjë kërkesë nga Dinamo apo Elbasani, për parregullsi, por shtypi në dy ditët pas ndeshjes ka botuar akuzat e elbasanllinjve, për gjykim të njëanshëm të ndeshjes nga gjyqtari kryesor A. Likja. Ndërkohë që shefi i Sektorit të Garave, Hito Hitaj, ka bërë një panoramë të ngjarjes, ku dhe ka bërë të njohur shkaktarët që stimuluan tensionimin e situatës. “Për sa i përket lojës së zhvilluar në fushë - u shpreh dje Hitaj - sipas mendimit tim nuk u vunë re probleme. Gjithashtu nuk është cënuar asnjë futbollist i Dinamos. Në lidhje me gjykimin, më saktë me 11-metërshin e dhënë në favor të Dinamos, do të ishte më mirë të presim mendimin e specialistëve të federatës”. Shefi i garave vazhdoi më tej, duke thënë se gjyqtari i kësaj ndeshjeje nuk ka një koeficient të lartë, por gjithsesi ai është në grupin e gjyqtarëve të miratuar nga Sektori i gjyqtarëve. Në lidhje me tensionin e krijuar në stadium, Hitaj bëri të ditur kronologjinë e ngjarjes. “Gjithçka ka vazhduar si zakonisht, në ndeshjet e kampionatit deri në momentin, kur thirrjet ofenduese të tifozëve, në drejtim të presidentit të Dinamos, Besnik Sulaj, i cili u detyrua të largohej nga tribuna - vazhdoi më tej, shefi i Sektorit të Garave. – Por më parë publiku u acarua nga dhënia e 11-metërshit në favor të Dinamos”. Duke iu shmangur mendimit të tij për 11-metërshin, Hitaj pranoi se kjo nuk ishte e mjaftueshme për bërë një situatë të atillë, aq të tensionuar. “Ishin pikërisht deklaratat gjatë gjithë javës në shtyp, që përgatitën një situatë të ndezur, e cila shpërtheu në ‘Ruzhdi Bizhuta’ dhe jashtë saj - theksoi Hitaj. – Akuzat e pavërtetuara të dinamovitëve dhe kundërpërgjigjet e portokallinjve krijuan një situatë armiqësore në zemrat e tifozëve elbasanas. Në këto polemika u përfshinë drejtues dhe lojtarë. Edhe pse para ndeshjes drejtuesit e Elbasanit kishin bërë thirrje për qetësi dhe mikpritje, mjaftonte një shkëndijë e vogël, që tifozët të shprehnin mllefin e tyre të akumuluar gjatë gjithë javës” - ka mbyllur shefi i Sektorit të Garave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›