Shalke-Verder, dueli i “te tremburve”
19/04/2005 Shalke do të presë sot në shtëpi kampionët gjermanë të Verder Bremenit për tu ndeshur në gjysëmfinalen e Kupës së Gjermanisë, kjo vetëm tre ditë pas dështimit të të dyja skuadrave në ndeshjet e tyre në Bundesligë. Megjithatë, për Verderin ndeshjet në Kupë nuk duken të kenë ndonjë rëndësi të madhe, duk e krahasuar me preokupimin e tyre në kampionat. “Kupa është thjesht një çështje dytësore për ne, asgjë më shumë” – shprehet portieri i Verderit, Frank Rost, ndërkohë që edhe drejtori i tyre sportiv Klaus Alofs, ka po të njëjtin mendim. “Vendi i tretë në Bundesligë dhe kualifikimi ynë në Ligën e Kampioneve, natyrisht që do të kishte më tepër prioritet se Kupa e Gjermanisë” – pohon ai. Për Fabian Ernstin, fitorja në këtë ndeshje të Kupës do të ishte më tepër se ngushëlluese. “Ne dëshirojmë të shkojmë në finale dhe të fitojmë një titull, kjo do të na inkurajojë së tepërmi” – thotë lojtari i kombëtares Gjermane. Ndërkohë për Shalken humbja 1-2 në Bundesligë përballë Hamburgut do të thotë fund i ëndrrave të tyre për titull, ndërkohë që Kupa e Gjermanisë është i vetmi trofe ku mund të shpresojnë ende, kjo për të rritur jo vetëm moralin e tyre, por edhe anën financiare. Shalke dhe Verderi janë dy skuadrat që kanë më shumë Kupa Gjermanie pas Bajernit, ndërkohë që statistikat mbi dulet e tyre të mëparshme flasin më shumë për skuadrën e Ralf Rangnikut, pasi në pesë duele direkte me Verderin, “mbretërit blu” kanë rezultuar fitimtarë. “Finalja e Kupës së Gjermanisë në Berlin është për të gjithë një ëndërr. Nayrisht fitorja e sotme do të ishte një forcë e madhe psikologjike edhe për ndeshjet e ardhshme të Bundesligës. Nëse në fund do të shpallemi kampionë në Kupë, atëherë mund të themi se për ne ishte një sezon i mbarë.” – thotë futbollisti i Shalkes, Ebe Sand. Të dy trajnerët e skuadrave kanë shqetësimin e disa prej “aktorëve” më të suksesshëm të tyre, kështu tekniku i Verderit Tomas Shaf sot nuk do të ketë në dispozicion Mirolav Klosen i cili është i dëmtuar në gju. “Eshtë e sigurt se Klose nuk do të jetë” – thotë Shafi, i cili të dëmtuar në formacion ka edhe Frank Fahrenhorstin. Nga ana tjetër kolegu i tij, Ralf Rangnik do të ketë sërish në dispozicion të tij brazilinin Linkoln, i cili gjatë ndeshjes me Hamburgun ishte i pezulluar. “Linkoln është një lojtar me shumë ide dhe në momenente të caktuara mund të jetë vendimtar për ndeshjen” – thotë Rangnik, i cili ende është skeptik për aktivizimin e Marcelo Bordonit. Pas tre humbjesh në ndeshjet e kaluara në Bundesligë, trajneri Rangnik kërkon t’i kthehet sërish suksesit duke u shprehur: “Synojmë vetëm finalen. Të gjithë lojtarët e dinë përse do të futemi ne sot në fushë dhe shpresoj se do t’ia arrijnë qëllimit.”