Përkujtohet Kuvendi i Lezhës
Me një ceremoni në katedralen e Kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, u përkujtua 565-vjetori i Kuvendit të Lezhës. Dhe u kremtua në të njëjtin vend, ku shekuj më parë u mbajt ky Kuvend dhe ku tashmë gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ceremonia nisi me një imitacion të skuadrës së kalorësve mbi periudhën e Skënderbeut dhe më pas autoritetet e pranishme bënë një parakalim në sheshin përpara memorialit të Heroit tonë Kombëtar. Pjesë e ceremonisë ishin homazhet dhe vendosja e kurorave me lule pranë varrit të Skënderbeut. “Ideja dhe nevoja për mbajtjen e një kuvendi, me përfaqësi nga të gjitha principatat e trojeve shqiptare, erdhi fill pas fitores së madhe të vitit 1443, kur Skënderbeu filloi takimet me princër e fisnikë të tjerë shqiptarë për të gjetur rrugën e bashkimit, pa të cilën s’mund t’i bëhej ballë superfuqisë ushtarake dhe politike të asaj kohe, siç ishte Perandoria Osmane”, tha në fjalën e tij ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.