E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Më mirë te Novara sesa në pankinën e Palermos"

 

Jetmir Halilaj

Gardiani i portës së Shqipërisë, Samir Ujkani në edicionin 2010/11 do të jetë konkurrenti kryesor i italianit Marko Amelia te skuadra e Palermos. Ujkani 21-vjeçar këtë verë është huazuar për një vit te skuadra e Novarës, që garon në Serinë C1/A për të fituar sa më shumë përvojë. Vetë Ujkani të shtunën për "Kohën Ditore" ka deklaruar se synimi kryesor i tij është që pas një edicioni te Novara të rikthehet te Palermo për të synuar vendin e titullarit në portë. "Kam pasur nevojë për një skuadër si Novara që të ndihem mirë dhe ku mund të luajë si titullar. Këtu te Novara e kam këtë mundësi, por unë do të punoj maksimalisht sepse dua të tregoj se më të vërtetë e meritoj të jem i pari", ka thënë Ujkani. "Dua që pas një viti te Novara ku pritet të paraqitem në rreth 30 ndeshje, të kthehem te Palermo dhe të jem konkurrenti më i madh për numrin një të portës. Përvoja te Novara do të më ndihmojë shumë të përgatitem sa më mirë për Serinë A pas një viti", ka shtuar ai. Ujkani ka pasur oferta edhe nga skuadrat në Serisë B, por drejtuesit e Novarës janë treguar shumë korrekt ndaj tij. Ai fillimisht nuk e ka pasur ndër mend të largohet nga Palermo, por pas bisedës me portierin e parë Amelia ka vendosur një gjë të tillë. Ky i fundit i ka thënë Ujkanit se i duhet të paraqitet në çdo ndeshje në mënyrë që të jetë në listën e trajnerit të Italisë, Marçelo Lipi për Kampionatin Botëror, që vitin tjetër mbahet në Afrikën e Jugut. "U largova nga Palermo pasi nuk pata garanci se të paktën do të luaja në ndeshjet e Kupës dhe realisht mua nuk më ndihmonte aspak që të qëndroja në bankinë", tha Ujkani. "Amelias në këtë edicion i nevojiten shumë ndeshje, pasi synon të jetë pjesë e Italisë në Botëror. Atë e kam mik të mirë dhe pasi më tregoi pranova të huazohem te Novara".
Huazimi te Novara nuk do të jetë pozitiv vetëm për Palermon, por edhe Kombëtaren e Shqipërisë. Këta të fundit e kanë ftuar Ujkanin për ndeshjen miqësore kundër Qipros, që luhet me 12 gusht.
"Huazimi te Novara është në favorin tim, pasi do të më ndihmojë siguri më të madhe në vete dhe do të jem edhe më i gatshëm se vitin e shkuar për Shqipërinë", u shpreh ai. "Shpresoj që tani e tutje të kem më shumë hapësirë, pasi do të jem tërë kohën në portë te Novara. Kam besim te trajneri Josip Kuzhe". Ujkani deri më tani ka regjistruar dy paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa te Palermo në edicionin e fundit ka bërë debutimin në Serinë A kundër Milanit në "San Siro". Ai te Palermo është transferuar në verën e vitit 2007 nga skuadra U-19 e Anderlehtit dhe me italianët ka kontratë deri në qershorin e vitit 2012.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›