E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KQZ-ja miraton me konsensus rezultatin, Ristani: “Procesi ishte pozitiv”



Shaban Sulçe
Ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur dje, në datën 1 gusht, rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. KQZ-ja ka miratuar me votim unanim me votën e të 7 anëtarëve të saj këtë rezultat, duke shpallur zyrtarisht fitues koalicionin “Aleanca e ndryshimit”, e drejtuar nga Partia Demokratike. KQZ-ja ka miratuar mandatet e 140 deputetëve të rinj të Kuvendit të Shqipërisë, nga të cilët 68 koalicionit të drejtuar nga PD-ja, 66 koalicionit të drejtuar nga PS-ja dhe 4 mandate koalicionit të drejtuar nga LSI-ja. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, gjatë një konference për shtyp, vlerësoi me nota pozitive procesin zgjedhor të 28 qershorit. Ai deklaroi me kënaqësi se KQZ-ja arriti tre objektivat madhorë që synonte në këto zgjedhje.

Zgjedhjet
Ristani përmendi arritjet pozitive të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Ai vlerësoi maksimalisht ditën e votimit si dhe faktin që nga 4751 qendra votimi në të gjithë vendin, vetëm 5 prej tyre nuk arritën të hapeshin. Kreu i KQZ-së cilësoi pozitivisht edhe faktin se transporti i kutive të votimit nga qendrat e votimit në vendet e numërimit të votave u bë pa problem dhe në kohën e duhur. Ristani theksoi gjithashtu se procesi i numërimit të votave u arrit të mbahet në kontroll të vazhdueshëm nga KQZ-ja. Sipas tij, teknologjia mbështetëse arriti të regjistrojë procesin dhe të lehtësojë punën e vëzhguesve. “Vendimet e KQZ-së, që ishin disa qindra, u ankimuan shumë pak në periudhën para zgjedhore dhe vetëm dy prej tyre u cenuan nga Kolegji Zgjedhor. Ndërsa, përsa u përket ankimeve pas zgjedhore, nga 7 vendime të KQZ-së, objekt ankimi në Kolegjin Zgjedhor, vetëm një prej tyre u ndryshua pjesërisht. Përfundimi i procesit zgjedhor ndodhi brenda afatit ligjor dhe dukshëm shumë më shpejt se në të gjitha zgjedhjet e tjera”, - vijoi Ristani.

Qëllimet
Sipas Ristanit, KQZ-ja arriti të përmbushë qëllimet në këtë proces zgjedhor, që ishin rritja e transparencës, puna e bazuar në profesionalizëm dhe përfundimi i procesit në kohën e duhur. “Sigurisht, KQZ-ja dhe të gjithë administratorët e tjerë zgjedhorë ndjekin si qëllim realizimin me sukses të detyrave të ngarkuara me ligj, por në veçanti në këto zgjedhje KQZ-ja synoi të rriste në maksimum besimin e zgjedhësve, subjekteve zgjedhore, monitoruesve dhe çdo të interesuari, se zgjedhjet në vendin tonë janë të lira, të barabarta, të ndershme dhe të standardeve të larta. Për të arritur qëllimin përcaktuam si objektiva mbështetës: rritjen e transparencës, punën e bazuar në profesionalizëm dhe përfundimin e procesit në kohën e duhur. Të tre këto objektiva, siç u argumentuan më sipër, ne i konsiderojmë të arritura, sepse faktet e tregojnë këtë dhe vëzhguesit e kanë konfirmuar”, - tha Ristani.

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›