E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cani qëndron te Padova, kërkohen Bogdani e Aliu

Shqiptari Edgar Cani do të vazhdojë të mbetet te Padova deri në përfundim të këtij sezoni. Ky është vendimi i fundit, i marrë pas tratativave mes dy klubeve, atyre të Padovas, që e morën në formë huazimi gjatë merkatos së fundit të verës dhe atyre të Palermos, të cilët janë edhe pronarët e kartonit të sulmuesit. Sikurse bëri të ditur dje faqja e lajmeve në internet, "Padovanews.it", ditët e fundit po përflitej shumë rreth hipotezës së një rikthimi të Canit te skuadra siciliane, e cila më pas do ta xhironte te Piaçenca. Transferimi duket paksa i pamundur dhe sulmuesi shqiptar do të duhet të qëndrojë te Padova deri në fund të sezonit aktual. Për sa i përket merkatos së skuadrës së Padovas së Serisë B, ka një tjetër fakt interesant. Ajo interesohet edhe për dy sulmues të tjerë shqiptarë. Në listën e dëshirave ka tre objektiva me emra të rëndësishëm, Erjon Bogdani, Bruno dhe Ruopolo. Por i preferuar për Padovan mbetet edhe një talent i ri shqiptar, 19-vjeçari Grasjan Aliu, i cili luan në Serinë D me Albinjasego. Drejtori i përgjithshëm i klubit, Sottovia, dhe drejtori sportiv De Françeski kanë qenë në tribunën e stadiumit "Montagna" gjatë ndeshjes së fundit të Albinjasego. Më shumë se një vizitë kortezie, ata kishin ardhur për të ndjekur talentin Aliu, i cili do të vazhdojë të mbahet nën vëzhgim edhe për disa kohë.

A. M

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›