E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtim Duro "bekon" Shkëmbin

Blendi Shkëmbi është emri i parë i njohur që pritet të afrohet te Besa gjatë merkatos së janarit. Kapiteni i Skënderbeut shihet si një lojtar i domosdoshëm për manovrën ofensive të kavajasve dhe trajneri Shpëtim Duro nuk ka nguruar që t‘i japë "bekimin" afrimit të mesfushorit. "Natyrisht që po studiojmë pista të ndryshme në merkato dhe kam shumë dëshirë që një prej përforcimeve gjatë pauzës së edicionit të jetë Blendi Shkëmbi", deklaroi drejtuesi i stolit verdhezi. "Ai është një prej objektivave tanë në merkato dhe kjo nuk është më sekret, pasi gjysma e parë e kampionatit u mbyll. Besoj që ky lojtar do të jetë pjesë e skuadrës time për fazën e dytë të Superiores". Ish-lojtari i Kombëtares është shtylla kryesore e Skënderbeut dhe gjatë këtij sezoni ai është paraqitur në nivele të kënaqshme. Megjithatë, largimi i tij nga skuadra korçare duket se ka lidhje me zërat se klubi është në kaos financiar dhe një numër i konsiderueshëm titullarësh po mendojnë largimin.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›