Titujt e parë të 2010-s
Është bërë zakon që fundvitet të mbyllen me bilance. Në një shoqëri konsumatore kjo është një zgjidhje e gjetur për të kuptuar ku është arritur dhe ku duhet të punohet. Këtij procesi nuk i shpëton as libri, ndonëse pëlqehet të mos klasifikohet në mallrat e rëndomtë. Katalogë me tituj të rinj, me emra të njohur të letërsisë botërore apo shqiptare, me botime që për një arsye apo tjetër ndodh të kthehen në fenomene letrare të vitit dhe shifrat e shitjeve që vijnë nga libraritë, testimi i interesit të publikut apo sipërmarrja për ta ushqyer me një letërsi të mirë, janë elementë të përvitshëm në bazë të të cilave shtëpitë botuese hartojnë politikat e tyre. Kur vetëm pak ditë na ndajnë nga mbyllja e 2009-s, duhet thënë se këtë vit, në ndryshim nga 2008-a, munguan botimet e zhurmshme. U referohemi romaneve apo librave historikë që në mënyrë të natyrshme apo ndonjëherë edhe të nxitur gjallojnë debate. Të tilla botime nuk kanë ardhur këtë vit as nga autorë shqiptarë e as të huaj. Në fund të fundit, është dëshmuar tashmë se diskutimet ngjallin kureshtjen e lexuesve dhe rrisin natyrshëm numrin e kopjeve të shitura. Panairi i librit, i organizuar pak para ndërrimit të viteve është një tjetër pasqyrë reflektimi për librat e sjellë gjatë një viti dhe për marrëdhënien e tij me lexuesin. Veç disa diskutimeve të mbetura gjithsesi të vakëta mbi prurjet e një viti, mbi raportin e letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj, mbi letërsinë komerciale dhe atë që sjell vlera të vërteta artistike, apo ndonjë diskutim thuajse i shkëputur mbi ndryshimet që duhen e nuk duhen reflektuar në "Ligjin për librin", 2009-a mund të konsiderohet si një vit pa shumë zhvillime në prurjet letrare. Por ndonëse festat e fundvitit teorikisht luajnë rolin e kufirit ndarës mes një viti të vjetër dhe atij në ardhje e sipër, në praktikë për shtëpitë botuese kjo është thuajse e papërfillshme. Një pjesë e mirë e tyre nuk humbasin kohë. Që në ditët e para të 2010-ës, secila e ka një titull të ri a më shumë për ta këshilluar. Me raste janë autorë që vijnë për herë të parë në shqip, në raste të tjera u përkthehet e disata vepër, herë emra të njohur e herë të tjerë që përfaqësojnë prirjet e letërsisë bashkëkohore të vendeve nga vijnë. Ndër vite është parë që në përzgjedhjen e tyre botuesit u referohen testimit që tregu ndërkombëtar i librit u bën botimeve të caktuara apo edhe konkurset e çmimet letrare. Ajo që vihet re në titujt që shtëpitë më të mëdha botuese propozojnë për ditët e para të 2010-s, është epërsia e dukshme e autorëve të huaj, krahasuar me ata shqiptarë. Kjo është rrjedhojë e natyrshme e raportit dominues që letërsia botërore vazhdon të ketë ndaj asaj shqiptare. Ndërsa për sa u përket gjinive, ato do të jenë të ndryshme: libra për fëmijë, romane, novela, e dorëshkrime ashtu sikundër nuk do të mungojnë edhe ribotimet. Të parët që do të trokasin në dyert e librarive e bibliotekave do të jenë kryesisht autorë të huaj si: Paolo Cohelo, Haruki Murakami, Justine Levy, Federico Moçia, Karlos Luis Zafon, Filippo Marinetti, Michel Houellebecq, Arturo Perez-Reverte, Cecilia Ahern etj. Autorët shqiptarë, edhe pse më të paktë në numër, gjithsesi ata nuk do të mungojnë në këtë fillim viti të ri. Skenarë të Dhimitër Anagnostit, Anton Nikë Berisha, Skënder Demolli, Ardian Saliaj janë disa prej propozimeve të shtëpive botuese, ndërsa me siguri që në vijim të vitit do të ketë edhe shumë të tjerë. "Toena", "Argeta LMG", "Onufri", "Dituria", "Uegen", "Bota Shqiptare", "Skenderbeg Books", "Omsca-1", "Ideart" e "Onufri", janë disa prej shtëpive botuese shqiptare që do të jenë pranë lexuesit menjëherë pas festave. Kureshtja se si do të nisë një vit i ri, se çfarë na ofron bota letrare mbetet sigurisht tunduese. Por këta janë vetëm titujt, asnjëherë përcaktues për çka do të vijojë të botohet gjatë ditëve, javëve e muajve në vazhdim. Gjithsesi, botuesit kanë piketuar. Katalogu i botimeve sapo ka nisur.
Flutura Açka- "Skanderbeg books"
Në ditët e para të janarit, një ndër librat e parë që shtëpia botuese "Skanderbeg books" do të hedhë në treg, është romani
"Kronika e zogut kurdisës", i shkrimtarit japonez, Haruki Murakami. Nderi më tani, në shqip nga ky autor ka ardhur romani "E dashura ime Sputnik", ndërkohë që nga shtëpia jonë botuese janë marrë të drejtat për botimin e romanit të tretë "Kafka në breg". Një nga shkrimtarët që ne shpresojmë ta sjellim të plotë te lexuesi shqiptar, është francezi Miche Houellebecq, për të cilin besojmë se gjatë vitit 2010 do ta prezantojmë me tri vepra. Deri më tani në shqip nga ky autor janë botuar romanet "Platforma" dhe "Zgjerimi i domenit të luftës".
Arian Leka - "Ideart"
Viti 2010 për shtëpinë tonë botuese do të nisë me botimin e një libri me poezi të autorit shqiptar, Ardian Saliaj, i titulluar "Fjala si ngjyrë". Në ditët e para të vitit do të vijë në shqip edhe libri i Filippo Marinetti-it, "Si t‘i joshim gratë". Ky është një tekst shumë interesant që ne ia propozojmë lexuesit edhe në kuadrin e 100-vjetorit të futurizmit. Marineti ishte ai që hartoi Manifestin e Futurizmit dhe nxiti në fillim të viteve ‘900 lëvizjen me të njëjtin emër. Besojmë se Filippo Marineti do të jetë një nga shkrimtarët më të rëndësishëm ku shtëpia botuese "Ideart" do të investojë gjatë vitit 2010.
Luan Pengili- "Omsca-1"
Libri që do të dalë në tregu që në 10-ditëshin e parë të vitit 2010 është romani "Në anën tjetër të rrugës me diell" i shkrimtares ruse, Dina Rubina. Aktualisht, Rubina është një nga krijueset më në zë të letërsisë bashkëkohore ruse dhe romani që ne do të sjellim në shqip është botim i vitit 2006. Pas saj, një tjetër roman që gjendet edhe këto ditë në krye të listës së librave më të mirë të vitit, është "The help" i Kathryn Stocket. "Amazone" e ka renditur si librin debutues më të mirë të vitit ndonëse është botuar vetëm pak muaj më parë. Ky roman i suksesshëm do t‘u propozohet lexuesve që në ditët e para të vitit të ri.
Kujtim Gjonaj- "Bota shqiptare"
Janë një seri titujsh që janë menduar të dalin në treg për lexuesit gjatë ditëve të janarit të vitit 2010. Mund të përmendim këtu librin "Bashkëpatriotë" të padëshiruar shkruar nga autori grek, Jorgos Margaritis. Do të jetë një libër që shpresojmë se do të tërheqë vëmendjen e lexuesit për faktin se prek një çështje shumë të diskutuar, dhunën e ushtruar ndaj çamëve dhe shkëputjen e tyre nga grekët. Lista e botimeve të reja do të vazhdojë me tituj të tillë si "Klubi Dyma" nga Arturo Perez-Reverte, "Konspiracioni botëror" nga David Icke, "Vendi pa emër" nga Cecilia Ahern, "Zgjedhja" nga Nicholas Sparks dhe "E burgosura e pasionit" nga Johanna Lindsey.
Irena Toci - "Toena"
Javën e parë të muajit janar të vitit 2010 "Toena" ka menduar të paraqitet para lexuesit me dy libra të Dhimitër Anagnostit. I pari titullohet "Nata e trokitjeve në xham" ndërsa libri i dytë do të përmbajë dy skenarë filmash, "Përrallë nga e kaluara" dhe "Gjoleka, i biri i Abazit". Ndërkaq, pritet të dalë shumë shpejt edhe një libër i ri i autorit brazilian, Paolo Coelho i cili do të vijë nën përkthimin e Gëzim Qëndros. Gjithashtu, nuk do të mungojnë ribotimet. Për këtë muaj të fundit të 2009-s është ribotuar romanin "Ku je" i Flutura Açkës dhe "Moxart me vonesë" i Bashkim Shehut. "Të jetosh në ishull" i Ben Blushit do të vijë i ribotuar për 2010-n në formatin bestseller, libër xhepi.
Mehmet Gëzhilli - "Argeta LMG"
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, shtëpia botuese "Argeta LMG" ka menduar që në fillim të muajit janar të paraqitet me "Ujëvarë drite në zemër" një ribotim i librit të Anton Nikë Berishës. Po ashtu në këtë 100-vjetor do të vijë edhe një libër në formë manuali kushtuar figurës së shenjtores, çfarë kanë thënë për të dhe poezi nga poetët shqiptarë kushtuar saj. Po ashtu për këtë fillimviti do të vijë edhe një libër me dhjetë novela të përzgjedhura të autorëve të mëdhenj të huaj si Gi de Mopasan apo Kafka. Tri nga novelat e këtij vëllimi vijnë për herë të parë.
Petrit Ymeri - "Dituria"
Shtëpia botuese "Dituria" ka menduar të vijë para lexuesit për muajin janar të vitit të ri 2010 me romanin "Asgjë me rëndësi" të autores franceze, Justine Levy, si dhe "Dashuri 14", romani i ri i autorit italian, Federico Moçia. Ndërkaq, një botim i ri sapo ka dalë në qarkullim këto ditë nga "Dituria". "Loja e engjëllit" i Karlos Luis Zafon, një nga kryeveprat letërsisë botërore vjen para lexuesit. Nga i njëjti autor, pritet që për vitin 2010 të botohet një tjetër libër, ai i titulluar "Marina".
Xhevahir Lleshi - "Eugen"
Ditët e para të janarit shtëpia botuese "Uegen" do të sjellë për lexuesin një autor shqiptar. Skënder Demolli do të prezantohet me "Kafshët e së keqes", një vëllim me fabula dhe mite. Bëhet fjalë për një libër humorist, i veçantë, i ndarë në dy pjesë. E para titullohet "Flas me Zotin tim" dhe e dyta "Ditar komik i një gjahtari". "Uegen" ka menduar edhe për lexuesin e vogël. "Hanibali" dhe "Aleksandri i madh", dy libra për fëmijë do të vijnë në prozë të gjatë.