"Top Media" uron shqiptarët
Për herë të parë është kënduar në Festivalin XIX të Këngës në RadioTelevizion. Vlerësohet me Çmimin e Dytë. Për dekada me radhë është kënduar e rikënduar. Vargjet e saj kanë mbetur në mendjen e shumë shqiptarëve jo vetëm se e ka kënduar e madhja Vaçe Zela, por edhe sepse vargjet e saj, shkruar nga Gjok Beci, i kushtohen fuqishëm Shqipërisë, vendit amë, "ballëlartës me flamur". "Rrjedh në këngë e ligjërime", kompozuar nga Feim Ibrahimi, është zgjedhur këtë fundvit si kënga përshëndetëse e "Top-Media"-s duke mos i munguar as këtë vit traditës së bukur, një përshëndetje e urim zemre për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. "Top-Media" ka ndërtuar një traditë duke i përshëndetur të gjithë shqiptarët me një këngë të dashur për të gjithë, këngë që përcjell emocione dhe vlera të veçanta te të gjithë. Këtë vit kënga e përzgjedhur për të përshëndetur shikuesit e "Top-Media"-s është "Rrjedh në këngë e ligjërime" e kënduar nga Vaçe Zela", tregon për gazetën orkestruesi dhe drejtuesi i bandës muzikore të "Top Channel", Dorian Gjoni. Edhe këtë vit, ashtu sikundër edhe vitet e shkuara "Top-Media" ka zgjedhur të mbetet sërish te një këngë kushtuar Shqipërisë. E kjo jo pa arsye. Për Gjonin, një dedikim i tillë me shumë mundësi do të mbyllë edhe për disa kohë fundvitet. "Ky lajtmotiv është esenca e gjithë vizionit të "Top-Media"-s duke krijuar, duke punuar dhe duke i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha fushat e mundshme", komenton ai. Ndërkaq, rrëfen edhe disa detaje mbi orkestrimin e këngës. Ai thotë se riorkestrimi është bërë duke sjellë një përpunim të konsiderueshëm të elementeve orkestrale, por në të njëjtën kohë dhe që është shumë e rëndësishme, nuk është prekur melodia origjinale dhe teksti i këngës. "Versioni ynë e sjell këngën në një stil modern, ndryshe nga stilet që operojnë përgjithësisht në tregun artistik, me një forcë të madhe e cila është një shëmbëlltyrë e fuqisë që ‘Top-Media‘ ka", thotë më tej ai. Pjesë e traditës është bërë tashmë edhe videoklipi që shoqëron këngën e fundvitit. Ndërthurur me skena baleti, gjatë këngës do të sillen panorama nga qytete të ndryshme shqiptare, veçanërisht ato turistike. Përshtatur edhe me tekstin e këngës, kamera ka udhëtuar në Kalanë e Rozafës, në Apoloni, në Lagunën e Patokut etj., duke e ndërthurur urimin me vizionin e një Shqipërie të vlerave kombëtare, të traditave dhe të ardhmes. Pjesë e realizimit janë edhe disa skena masive, të vendosura kryesisht në Tiranë, që përmbyllen me një atmosferë festive të të gjithë stafit të "Top-Media"-s. E realizuar në sheshin "Skënderbej" kjo skenë mbart edhe një ndërthurje përmes trupës së baletit të simbolit të shqiptarëve: flamurin. Ashtu si edhe vitet e shkuara kënga do të transmetohet pas lajmeve kryesore të orës 19.30 në "Top Channel" dhe më pas do të vazhdojë të transmetohet gjatë festave pas edicioneve të ndryshme të lajmeve. Në prag të ndërrimit të viteve, "Rrjedh në këngë e ligjërime" i kushtohet edhe një viti pune intensive dhe energjike në "Top Media". Edhe një herë tradita në këtë kompani të madhe mediatike vijon me një kartolinë krejtësisht të veçantë urimi. Me një këngë e cila ngre në kult Shqipërinë në përpjekje për të qenë vazhdimisht pranë shqiptarëve kudo që ndodhen, jo vetëm përmes informacioneve, por edhe platformave që i kanë bërë të gjithë të ndihen më afër, edhe ata që prej vitesh kanë zgjedhur të jetojnë larg vendit për të mos harruar, por për ta dashur dhe vlerësuar Shqipërinë, "fisniken përmbi gur".